Lajme Shqip Tuesday, 05 April 2011 15:47

Prishtinë – AKR-ja deklaroi sot se është e vendosur që të respektojë marrëveshjen e koalicionit me PDK-në, e cila kishte rezultuar me zgjedhjen e liderit të saj, Behgjet Pacolli, për president Republikë.
Por, në zhvillimet e mëtejshme, Pacolli në fundin e marsit la postin e presidentit kur Gjykta Kushtetuese e vlerësoi jokushtetuese zgjedhjen e tij më 22 shkurt pa kundërkandidat dhe pa praninë e së paku dy të tretave të deputetëve në seancën e Kuvendit të Kosovës, nga e cila ishte larguar opozita.
Në deklaratën e AKR-së të dhënë pak më parë thuhet se “siç është bërë e ditur gjerësisht, pas aktgjykimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, interpretimeve kontradiktore që ajo dha më pas, vendi është në një krizë institucionale, e cila kërkon angazhim dhe përkushtim të të gjithëve për tejkalimin e saj”.
Kjo parti vlereson se energjitë e klasës politike kosovare po shpenzohen në zgjidhjen e krizës institucionale, dhe jo në problemet reale të vendit, të lidhura me jetën e qytetarit. “Imazhi i vendit nuk përfiton asgjë prej kësaj krize, por përkundrazi humb.  Ndaj duhet të vlerësohet dhe të analizohet çdo niciativë, ngado që vjen, qoftë nga miqtë e Kosovës, apo nga parti politike, për ta zgjidhur krizën dhe për të mos e thelluar atë”, theksohet në deklaratë.
AKR-ja shprehet se “në këtë drejtim është e vendosur që të respektojë marrëveshjen e koalicionit dhe  inkurajon te gjitha partitë politike në Kosovë që të arrijnë kompromis për proceset e ardhshme politike në Kosovë, por jo duke luajtur me emra presidentësh”. AKR-ja bën thirrje që “të zhvillohen kontakte të mëtejshme midis partive politike parlamentare për të dalë nga kriza”.
Sipas AKR-së, “iniciativa e djeshme për takimin midis zotit Hashim Thaçi dhe zotit Isa Mustafa, me ndërmjetësimin e Presidentit Pacolli, duhet të jetë vetëm hapi i parë në drejtim të gjetjes së një marrëveshjeje politike që përfshin ligjin zgjedhor, ndryshimet e kushtetutës etj”.