Lajme Shqip Saturday, 02 April 2011 08:44

Prishtinë – Aleanca Kosova e Re (AKR) njoftoi ne orët e vona të mbrëmjes së djeshme se pas konsultave të shumta brenda partisë si dhe me partnerët e Koalicionit për Kosovë të Re, ka shqyrtuar hollësisht mundësinë e shkëputjes së Koalicionit Qeverisës me PDK-në.

Në njoftim thuhet se zyrtarë të lartë të AKR-së dhe Koalicionit për Kosovë të Re, njëzërit janë pajtuar për të shqyrtuar seriozisht mundësinë e shkëputjes së menjëhershme të Koalicionit Qeverisës. Qëndrimi për shkëputje të koalicionit qeverisës vjen si pasojë e zhvillimeve të fundit politike në vend.

AKR në kuadër të Koalicionit për Kosovë të Re, gjatë këtyre konsultave, është shprehur e gatshme të ndërpresë kontratën e Koalicionit Qeverisës nëse kjo kontratë nuk do të përmbushet në tërësinë e saj. “Konsultat po vazhdojnë dhe do të intensifikohen në orët e para të mengjesit në një takim të Kryesisë së AKR-së dhe Koalicionit për Kosovë të Re, ku do të vendoset për hapat e mëtejshëm lidhur me shkëputjen e Koalicionin Qeverisës me PDK-në”, theksohet në njoftim.

Mbrëmë nga Presidenca u njoftua se sot në orën 09.00 do të bëhet dorëzim-pranimi i detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës, duke u rikthyer në krye të shtetit Jakup Krasniqin.

Sipas njoftimit të dhënë mbrëmë nga Presidenca kosovare, “pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Dr.Jakup Krasniqi merr postin e Ushtruesit të Detyrës së Presidentit të Kosovës. Nesër në Kabinetin e Presidentit do të organizohet ceremonia e dorëzimit të detyrës nga presidenti i deritashëm, Behgjet Pacolli dhe pranimi i saj nga ana e z.Krasniqi”.

Por, më vonë u dha një njoftim tjetër, ku thuhet se “me kërkesë të presidentit të deritashëm, z. Behgjet Pacolli, për shkaqe objektive, dorëzim-pranimi i detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës nga z.Behgjet Pacolli te kryetari i Kuvendit, njëkohësisht Ushtrues i Detyrës së Presidentit, Jakup Krasniqi, nuk do të bëhet ditën e shtunë, datë 2 prill, siç ishte planifikuar, por do të bëhet të hënën, datë 4 prill 2011, në orën 10:00, në Kabinetin e Presidentit”.

Behgjet Pacolli ka dhënë dorëheqjen nga posti i Presidentit të AKR-së pas votimit në Kuvend për të si president i Kosovës.