Lajme Shqip Wednesday, 27 April 2011 17:25

Prishtinë – Mbarimi i luftës në qershorin e vitit 1999, rezultoi me dëshirën e kahershme, lirinë e Kosovës. Por, ajo u shoqërua me dhimbje, të cilat po lënë plagë të hapura sot e asaj dite për shumë familje.

Të zhdukurit, morën emërtimin e të pagjetur, të kidnapuar, të mbajtur peng nëpër burgje të Serbisë.

Plaga e familjarëve të cilët ende kërkojnë të afërmit e tyre  është e hapur dhe kjo krijon pezem e dhimbje të vazhdueshme. Edhe më tej vajtohet nëpër shumë shtëpi nga nënat, nga fëmijët që po rriten pa prindër, dhe nga nuset që po bjerrin rininë në vetminë e madhe.

Fati i të pagjeturve mbahet peng nga shteti i Serbisë, ata e dinë ku janë të zhdukurit tanë, ata mbahen nga kriminelët që i kryen vrasjet. Mbetet dilemë dhe shqetësim i familjarëve çështja e trupave që qëndrojnë tash e sa vite në Morgun e Departamentit të Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.

Me rastin e 27 prillit, Ditës Kombëtare për të pagjeturit, kanë zhvilluar një sërë aktivitetesh.

Akademi Përkujtimore është mbajtur edhe në Kinemanë e qytetit.

Mungesa e familjarëve, dhimbja për më të dashurit e tyre tash e 12 vite , duket se po merr kahje të ndryshme.

Qysh në fillim të kësaj Akademie, shpërtheu zhgënjimi i tyre ndaj drejtuesve të institucioneve të Kosovës, pastaj vënia e fotografive për disa persona të caktuar, për disa familjarë ishte prekse, e cila shtoi edhe më shumë tension në këtë takim.

Familjarët e të pagjeturve, po marrin premtime për angazhim tash e disa vite, lidhur me atë se fati i tyre shumë shpejt do të zbardhet dhe se kryesit e veprave do dalin para drejtësisë.

Nga ana e tij, Zv.kryeministri dhe Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, duke shprehur  gatishmërinë e institucioneve të Kosovës, dhe konkretisht Ministrisë që ai drejton, u ka premtuar familjarëve angazhim maksimal, të të gjitha resurseve me qëllim që zbardhjes së fatit të më shumë se 1800 personave, që sot e 12 vite rezultojnë si të zhdukur.

Angazhim lidhur me këtë qështje ka premtuar edhe Rita Hajzeraj, kryesuese e Komisionit Parlamentar për të pagjeturit.

Hajzeraj, njëherit ka theksuar, se  lidhur me këtë qështje ndjehet e dëshpruar nga misioni Eulex.

Familjarët, edhe këtë përvjetor, nuk ngurruan të shprehin dhimbjen që ndjejn, dhimbje kjo që vazhdon t`I mbajë peng sot e 12 vite.

Zhdukje të shqipëtarve, gjatë luftës së fundit nga forcat serbe pati në Podujeve, Mitrovicë, Kastriot, Drenas, Skënderaj, Klinë, Pejë, Deçan, Gjakovë, Prizren, Therandë, Malishevë, Shtime, Kaçanik, Gjilan, e anë e mbanë Kosovës.