Lajme Shqip Monday, 04 April 2011 14:56

Prishtinë – Asociacioni i Gazetarëve Profesionistë të Kosovës është i shqetësuar me praktikën që po e përdorë Komuna e Prishtinës, duke i mbyllur për gazetarët disa nga mbledhjet e rëndësishme të saj.

Parmes një komunikate për media, AGPK bëri të ditur se është informuar nga kolegët gazetarë, të cilët përcjellin punën e pushtetit lokal të Prishtinës se, që më shumë se një vit, Komuna e Prishtinës ka mbyllur për gazetarët mbledhjet e Komitetit për Politikë dhe Financa.

“Kolegët kanë shpjeguar se mbyllja e mbledhjeve të KPF-së, por edhe mbledhjeve të tjera të këtij institucioni, ka nisur të ndodh prej kur kryetari i Komunës së Prishtinës, Isa Mustafa, para më shumë se një viti, u kishte kërkuar gazetarëve që të mos e raportojnë një deklaratë të tij, të bërë në një mbledhje të KPF-së. Duke u nisur nga kriteret profesionale të raportimit, gazetarët nuk e kishin përfillur kërkesën e tij. Komiteti për Politikë dhe Financa është çelës i funksionimit të Komunë së Prishtinës, andaj pjesëmarrja e gazetarëve në mbledhje është e domosdoshme”, thuhet në reagimin e AGPK-së.

Më tutje, AGPK ia kujton Komunës së Prishtinës se pjesëmarrja e gazetarëve në mbledhjet e këtij komiteti është e rregulluar edhe me Statutin e Komunës dhe me rregulloren komunale për transparencë.

Njëherësh, AGPK kërkon nga autoritetet komunale që të gjitha materialet që u jepen për mbledhje këshilltarëve të Kuvendit Komunal, t’iu dorëzohen edhe gazetarëve, me të vetmin qëllim që ata t’i njohin paraprakisht lëndët që do të jenë pjesë e shqyrtimeve dhe diskutimeve.

Në këtë rast, AGPK kërkon nga të gjitha pushtet lokale dhe ai qendror në Kosovë, që të heqin dorë nga praktikat e pengimit të gazetarëve në punën e tyre.

Po ashtu, AGPK njofton të gjitha institucionet, agjencitë dhe organizatat publike, se nuk do të ndalet së verifikuari qasjen e tyre ndaj gazetarëve, ndërsa vlerëson se transparenca ndaj mediave e forcon imazhin dhe e ngrit cilësinë e punës së cilitdo institucion.