Lajme Shqip Tuesday, 12 April 2011 14:56

Prishtinë – Kryetarët e Degëve të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), në një takim të mbajtur sot, në Prishtinë, vlerësuan se “gjendja e përgjithshme në Kosovë është e tensionuar dhe karakterizohet nga pakënaqësi të mëdha të qytetarëve të Republikës”.

Anëtarët e këtij forumi të AAK-së në opozitë, edhe njëherë shprehin brengën e thellë për mungesën e liderit të partisë, Ramush Haradinaj, në skenën politike, “duke qenë të bindur se ardhja sa më e shpejtë e tij do të stabilizonte Kosovën dhe do të hapte perspektivën për jetë më të mirë të të gjithë qytetarëve të Kosovës”.

Forumi i Kryetarëve të Degëve të AAK-së ka shprehur po ashtu shqetësimin e thellë për burgosjen e Blerim Kuçit, kryetar i Degës së AAK-së në Therandë dhe kryetar i Therandës dhe Sekretar Organizativ i AAK-së.

Ata kërkuan nga EULEX-i që të punojë, siç thanë ata, “sipas parimeve më të larta të drejtësisë dhe të mos e ndërpresë punën e institucioneve, në këtë rast të Kryetarit të zgjedhur në formë demokratike nga qytetarët e Komunës së Therandës”.

Kryetarët e Degëve të AAK-së mbështesin fuqishëm “qëndrimin parimor dhe burrëror të Kryetarit Blerim Kuçi, duke qenë të bindur se puna e tij në Komunën e Therandës dhe në aktivitetet tjera është e nivelit më të lartë”.

Ata, gjithashtu, thanë se janë të habitur me mungesën e reagimit institucional të nivelit qendror për rastin e Blerim Kuçit.

Anëtarët e këtij forumi të kësaj partie opozitare shprehën edhe njëherë përkushtimin për të zhvilluar aktivitetet e veta “në përputhje me vizionin e përbashkët për konsolidimin dhe funksionalizimin e shtetit të Kosovës, sundimin e ligjit, zhvillimin ekonomik dhe integrimet euro-atlantike”.