Lajme Shqip Thursday, 05 May 2011 19:48

Prishtinë – Kuvendi i Republikës së Kosovës në seancën e sotme plenare, me shumicë votash, nuk e miratoi rekomandimin e mocionit të grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, i cili është pjesë e opozitës, ku kërkohej “të ndërpriten bisedimet me Serbinë”.

Kërkesa për ndërprerjen e dialogut teknik Kosovë-Serbi është hedhur poshtë me 56 vota kundër, ndërsa 21 deputetë ishin pro ndërprejes e 5 abstenuan.

Po me shumicë votash u miratuan dy pikat e tjera të mocionit, ku kërkohej që “Qeveria të ndërmarrë hapa konkretë për të shtrirë autoritetin e shtetit të Kosovës në të gjithë territorin e saj, veçanërisht në veri” (pro 71, kundër 17 e 1 abstenim) dhe që “Qeveria e Kosovës të informoje rregullisht, çdo tre muaj Kuvendin e Kosovës për përpjekjet e saj për të vendosur kontroll në tërë territorin e Kosovës” (85 pro, 5 kundër e 4 abstenime).

Kuvendi i Republikës së Kosovës ka zhvilluar një debat të gjerë në interpelancën e kryeministrit Hashim Thaçi lidhur me procesin e bisedimeve me Serbinë, sipas kërkesës së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, i cili me 14 deputetët e tij është i treti me numrin e vendeve në parlament, pas PDK-së në pozitë dhe LDK-së opozitare.

Në Prishtinë është njoftuar zyrtarisht se raundi i katërt i dialogut teknik Kosovë-Serbi do zhvillohet më datë 17 dhe 18 të këtij muaji në Bruksel, kur janë zhvilluar edhe tre raundet e deritashme, duke filluar nga 8 marsi i këtij viti.