Lajme Shqip Friday, 02 December 2011 17:06

Gjatë ditës së fundit të vizitës në Bruksel, Ministrja Vlora Çitaku dhe Ministri Bajram Rexhepi takuan Komisioneren për Punë të Brendshme znj. Cecilia Malmström.

Gjatë takimit me Komisioneren Malmström, Ministrja Çitaku njoftoi Komisioneren Malmström për zhvillimet e fundit politike në Kosovë dhe progresin e arritur në fushën e integrimit Evropian.

Ministri Rexhepi njoftoi Komisioneren Malmström për rezultatet e arritura në plotësimin e kritereve në kuadër të procesit të liberalizimit të vizave, në veçanti në kuadër të procesit të ri-integrimit të personave të riatdhesuar.

Ministrja Çitaku dhe Ministri Rexhepi shprehen bindjen e Qeverisë se të gjitha parakushtet për fillimin e dialogut për liberalizimin e vizave janë plotësuar dhe që Qeveria tani pret qasje, proces dhe udhërrëfyes të barabartë me të gjitha vendet e rajonit në kuadër të këtij procesi.

Shtyrjet e mëtutjeshme të këtij procesi do të nënvlerësojnë përkushtimin e Bashkimit Evropian për të materializuar të ardhmen Evropiane të Kosovës.

Komisionerja Malmström inkurajoi Ministren Çitaku dhe Ministrin Rexhepi që të vazhdojnë me këtë përkushtim në kuadër të procesit të liberalizimit të vizave.