Lajme Shqip Wednesday, 25 April 2012 12:15

Prishtinë -Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione i Kuvendit të Republikës së Kosovës, diskutoi për Planin e Veprimit të Kuvendit të Kosovës për Integrime Evropiane për vitin 2012, përkatësisht pikës 74 të tij.

Kryetarja e Komisionit, Suzan Novobërdaliu, tha se pika 74 e Raportit të Progresit ka të bëjë me mbetjet mortore të paidentifikuara në morgun e Prishtinës, ndërkaq, është në axhendën e Komisionit të njoftohet për ecurinë dhe sfidat rreth kësaj çështje. Alan Robinson, përfaqësuesi i EULEX-it, duke iu referuar një raporti të përgatitur nga ana e tyre rreth kësaj problematike, vuri në dukje bashkëpunimin e tyre dhe të Ministrisë së Drejtësisë.

Robinson tha se të dhënat e raportit pasqyrojnë të arriturat rreth kësaj çështje, të cilat burojnë nga një bashkëpunim i mirëfilltë i EULEX-it dhe Ministrisë së Drejtësisë së Republikës së Kosovës. Përfaqësuesi i EULEX-it u ndal te pengesat që paraqiten në sigurimin e mostrave krahasuese të gjakut me mbetjet mortore që gjenden në morgun e Prishtinës. Robinson shtoi se numri i përgjithshëm i të zhdukurve është 1781, ndërsa në pyetjen e anëtarëve të Komisionit për të zhdukurit që dyshohet se janë bartur në Republikën e Serbisë, Robinson tha se EULEX-i ka dërguar ekipe të specializuara për vlerësimin e terrenit të dyshuar atje.

Përfaqësuesi i EULEX-it përmendi qytetin e Rashkës dhe qytetin e Peruçasit afër kufirit me Bosnjën dhe Hercegovinën. Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 27 Prillit-Ditës për Persona të Zhdukur të Kosovës, është mbajtur në Mitrovicë debati me temën “Ku janë familjarët tanë”. Debati është organizuar nga shoqata “Zëri i Prindërve” e Mitrovicës, me mbështetjen e Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur dhe Këshillit Koordinues me të gjitha shoqatat e familjarëve të të zhdukurve të Kosovës. (LajmeShqip.com)