Lajme Shqip Thursday, 23 February 2012 18:45

Kryetari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës Enver Peci tha se zbatimi i strategjisë për reduktimin e lëndëve të vjetra  po realizohet sipas planit.

Megjithatë, prej 161 mijë e 273 lëndë nëpër gjykata që janë evidentuar si të vjetra nga vitit 2008, deri tani janë shqyrtuar 61 mijë e 508 dhe kanë mbetur 99 mijë e 798 lëndë pa u zgjidhur. Peci tha se problem mbetet numri i vogël i gjyqtarëve, duke mos dhënë një afat kur do të zgjidhen të gjitha lëndët e vjetra.

“Nuk mund të jap premtime se kur do të pritet ajo, ngase nuk ka në regjion apo në botë që ka gjykatë efikase që do të pres lëndën dhe do të përfundojë. Për këtë të garantoj. E dyta, në regjion me numër të banorëve, numrin më të vogël e kemi të gjyqtarëve, kjo është fakt”-deklaroi Peci.

Gjykatat të cilat e kanë tejkaluar planin e punës në reduktimin e lëndëve të vjetra, sipas Pecit, janë Gjykata Supreme dhe gjykatat komunale për kundërvajtje, ndërsa gjykatat më të ngecura në realizimin e këtij plani janë gjykatat e qarkut, gjykatat komunale dhe gjykata ekonomike e qarkut.

Strategjia për reduktimin e lëndëve të vjetra gjyqësore, sipas Pecit, është e dobishme edhe për gjyqësorin, por edhe për vetë qytetarët.

Ai theksoi nevojën për rritjen e numrit të gjyqtarëve, duke thënë se aktualisht janë duke u bërë analizat e fundit sa i përket ristrukturimit të të gjykatave. Aktualisht në të Kosovën janë 253 gjyqtarë, por sipas Pecit, numri i nevojshëm është 380. Po ashtu, sipas Pecit, kërkohet edhe reformim i administratës së gjykatave.