Lajme Shqip Sunday, 03 November 2013 09:26

Prishtinë – Në Kosovë kanë nisur votimet për zgjedhjet komunale , që janë të dytat që prej shpalljes së Pavarësisë në vitin 2008.

Kryetarja e Komisionit Qendror Zgjedhor, Valdete Daka, simbolikisht  ka bërë hapjen e vendvotimeve për zgjedhjet lokale, duke votuar vet.

Ajo bëri thirrje tek të gjithë që të dalin në zgjedhje që të kryejnë obligimin e tyre kushtetues.

“Shpresoj që me votën time të fitojë më i miri. Uroj ditë të mbarë dhe le të fitojë Kosova”, ka thënë Daka me rastin e votimit.

E pyetur se kur mund të dalin rezultatet e para preliminare, ajo tha se kjo mund të bëhet dy ose tri orë pas mbylljes së vendvotimeve.

Pas një muaji fushatë të premtimeve elektorale, 103 subjekte politike me gjithsej 7 mijë e 932 kandidatë sot presin votën e më shumë se 1.7 milionë qytetarëve, të cilët do të zgjedhin përfaqësuesit e tyre komunalë për katër vitet e ardhshme. 

Në garë për pushtetin lokal në 38 komunat e Republikës së Kosovës do të jenë 33 parti politike, 52 iniciativa qytetare, 16 kandidatë të pavarur dhe 2 koalicione me gjithsej 7 mijë e 932 kandidatë. 224 kandidatë garojnë vetëm për kryetarë komunash. 

Dy fletëvotime do t’u jepen qytetarëve me të drejtë vote. Në njërën do të votojnë për kandidatin për kryetar të komunës, ndërsa me fletëvotimin tjetër do të votojnë për këshilltarët e asambleve komunale. Për kandidatin për kryetar të komunës votuesi duhet të shënjojë vetëm për një kandidat në hapësirën bosh para emrit të kandidatit. Kurse, në fletëvotimin për Kuvendin Komunal, në anën e majtë votuesi duhet të bëjë shenjë tek hapësira e zbrazët vetëm tek një subjekt politik. Ndërsa në anën e djathtë të të njëjtit fletëvotim, votuesi duhet të bëjë shenjë mbi numrin e vetëm një kandidati për Kuvend Komunal. 

Në ditën e zgjedhjeve, më 3 nëntor, policë, mjekë, oficerë korrektues e gazetarë që janë në orar të punës kanë mundësi që votojnë me kusht, në qendrën më të afërt të votimit. 

Numri i qendrave të votimit në tërë Kosovën është 798, ndërsa numri i vendvotimeve është 2 mijë e 366./koha/