Lajme Shqip Thursday, 01 December 2011 17:00

Prishtinë – “Kosova synon modernizimin dhe strukturimin e bujqësisë”, tha sot kryeministri Hashim Thaçi, në një konferencë me donatorë të organizuar në Prishtinë.

“Fokusi dhe orientimi i përkrahjes, dhe i yni si Qeveri, dhe i donatorëve, konsideroj se duhet të jetë më shumë në mbështetje të faktorëve të prodhimit, stimulimin e fermerëve dhe në krijimin e kushteve sa më të favorshme për investitorët, në mënyrë që të arrijmë një zhvillim të qëndrueshëm dhe t’i bashkëngjitemi  trendeve zhvillimore të BE-së”, tha ai.

Në këtë drejtim, vijoi Thaçi, ne tani jemi duke rishikuar edhe politikat fiskale për biznese, për të evituar ngarkesat e panevojshme administrative dhe për të krijuar lehtësira të reja doganore dhe tatimore për sektorin e prodhimtarisë primare, si dhe në bashkëpunim me asistencën që na është ofruar, jemi duke krijuar të gjitha mekanizmat e nevojshëm sipas përvojave më të mira të vendeve të BE-së”, theksoi kryeministri Thaçi.

Në konferencën me donatorë, të organizuar nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, kreu i qeverisë u shpreh se, “qeveria është e përkushtuar që të rrisë prodhimtarinë bujqësore dhe të shtojë sigurinë në produktet agroushqimore”.