Lajme Shqip Tuesday, 02 July 2013 19:42

Bruksel – Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri e shoqëruar nga z. Ekrem Hoxha, Kryesues i Bordit i Autoriteti Rregullator i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), Besnik Berisha, Anëtarë i Bordit i ARKEP-it dhe Gazmir Raci, Këshilltar politik i ZVKM Tahirit, sot në Bruksel zhvilloi një takim bilateral me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian për çështjet e telekomit, z. Pierre Mirel dhe Nicholas Cendrowicz nga Drejtoria për Ballkanin të Komisionit Evropian. Në këtë takim u bisedua rreth mundësive të përafrimit të qëndrimeve të palëve për çështjet e telekomunikacionit. 
Pas një analize të gjithëmbarshme për tërë procesin e bisedimeve për telekomin që kanë vazhduar mbi dy vjet, dhe konstatitimit të përbashkët se arritja e një marrëveshjeje të mundshme do ti shërbej normalizimit të marrëdhënieve ndërshtetërore në këtë fushë, bisedimet u përqendruan në pozicionet e palëve rreth çështjeve të hapura. Përfaqësuesit e BE-së në takim prezantuan kërkesat e fundit të palës serbe që kanë të bëjnë me fushën e telefonisë mobile, ku Delegacioni i Kosovës pas shqyrtimit të tyre refuzoi këto kërkesa duke theksuar se pala e Kosovës mbetet pranë qëndrimit se zgjidhjet e mundshme duhet të jenë në përputhje me ligjet e Kosovës dhe parimet evropiane. 
Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri në përfundim të takimit deklaroi se pala e Kosovës ka qenë vazhdimisht e angazhuar për arritjen e një marrëveshje për telekomin sepse përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore mes Kosovës dhe Serbisë duhet të shtrihen në të gjitha fushat si dhe që pala serbe duhet të kuptoj se me logjikën e vazhdimit të ndërhyrjeve ilegale nuk mund ti kontribuoj normalizimit dhe vendosjes së bashkëpunimit. 
Edhe me këtë rast Zëvendëskryeministrja Tahiri pohoi se dakordimi për çështjen e kodit shtetëror telefonik për Kosovën nga ITU-ja shënon përparim të rëndësishëm në bisedimet për telekomin, mirëpo për tu arritur marrëveshja pala serbe duhet të heq dorë nga kërkesat që bien ndesh me ligjet e Kosovës, duke theksuar se kërkesa e tyre për licencimin e një operatori mobil është refuzuar për arsye se për këtë çështje kërkohet tenderim ndërkombëtar. 
Në fund ajo shprehu gatishmërinë e palës së Kosovës për të vazhduar përpjekjet për të arritur marrëveshje, duke këmbëngulur se parimet evropiane të tregut liberal dhe të konkurrencës së lirë e të ndershme janë vlera të ekonomisë së Kosovës, dhe se me vlerat evropiane mund të ketë marrëveshje për telekomin.