Lajme Shqip Wednesday, 27 April 2011 08:15

Prishtinë – Në Ditën e të Pagjeturve në Kosovë- 27 Prill u përsëritën thirrjet për zbardhjen e fatit të mëse 1800 të zhdukurve të luftës së para më se 12 vjetëve.

“Edhe sot, shumë familje në Kosovë mbeten ende pa asnjë përgjigje në lidhje me të afërmit e tyre që janë zhdukur gjatë luftës”, deklaroi Presidentja e Republikës, Atifete Jahjaga.

“Më 27 prill, në Ditën e të Pagjeturve në Kosovë, dëshiroj, si Presidente e Kosovës, t’u bëj thirrje të gjithëve që të shtojnë përpjekjet për të zbardhur fatin e personave të pagjetur”, shtoi ajo.

Presidentja Jahjaga tha se e drejta për të ditur fatin e më të dashurve është brengë themelore e secilit njeri, e secilës familje dhe është e drejtë ndërkombëtare humanitare, e drejtë elementare e njeriut, e cila duhet respektuar.

Ajo priti sot anëtarë të Komisionit Qeveritar për Personat e Pagjetur dhe përfaqësues të shoqatave të të pagjeturve, të cilëve u tha se ndan dhimbjen me të gjitha familjet e personave të pagjetur dhe theksoi se pasojat e luftës në Kosovë kanë qenë të rënda.

“Unë u takova me disa nga përfaqësuesit e familjeve të pagjeturve dhe i dëgjova brengat e tyre. Ato ishin rrëfime të dhimbshme, shumë prekëse dhe shumë të vërteta. Të gjithë ne e kuptojmë kërkesën e tyre themelore se është e drejtë e patjetërsueshme që secili ta ketë varrin ku familja dhe të afërmit do t’i kryejnë ceremonitë fetare, ku i kujtojnë dhe i nderojnë dëshmorët e viktimat që u vranë në konfliktin e armatosur në Kosovë”, është shprehur Presidentja Jahjaga.

“Si Presidente e Republikës së Kosovës unë do të përpiqem dhe do të bëj gjithçka që është në fuqinë time që t’u ndihmoj familjeve të gjejnë dhe të dinë për fatin e më të dashurve të tyre”, shtoi ajo.

Presidentja Jahjaga theksoi se “ka më shumë se një dekadë që nga mbarimi i luftës dhe çështja e të pagjeturve mbetet një kujtesë tragjike e të kaluarës së afërt të Kosovës dhe vazhdon të jetë një barrë e dhimbshme, jo vetëm për familjet që humbën të dashurit e tyre, por për tërë shoqërinë tonë”.

“Fakti se ende ka mbi 1.800 persona të pagjetur, që i mungojnë Kosovës, tregon se përgjegjësia e plotë mbi këtë çështje është ende larg nga të qenit e përfunduar dhe ankthi i familjeve edhe sot po vazhdon”, u shpreh ajo.

Unë, tha më tej Presidentja Jahjaga, dua ta shfrytëzoj këtë rast për t’u bërë apel edhe autoriteteve të Republikës së Serbisë që të japin të gjitha informatat dhe të ndihmojnë për të zgjidhur fatin e personave të pagjetur nga Kosova.

“Zbardhja e fatit të personave të pagjetur dhe sjellja para drejtësisë e autorëve të këtyre krimeve monstruoze, do t’i ndihmonte familjet për të kapërcyer të kaluarën tragjike dhe do të kontribuonte për paqen dhe qëndrueshmërinë në rajon”, shtoi ajo.

Presidentja siguroi se Qeveria e Republikës së Kosovës do ta ketë gjithë përkrahjen e saj që të forcojë kapacitetin profesional të institucioneve që merren me çështjen e personave të pagjetur, në veçanti të kapaciteteve të Komisionit Qeveritar për Personat e Pagjetur.

“Kërkoj nga EULEX-i që në përputhje me Ligjet e Republikës së Kosovës, të bashkërendojë të gjitha aktivitetet me institucionet e Kosovës dhe të intensifikojë përpjekjet për gjetjen dhe identifikimin e të gjithë atyre që janë zhdukur gjatë luftës në Kosovë”, tha ajo.

Dita e të Pagjeturve të Kosovës shënohet në gjithë vendin, ndërsa tradicionalisht manifestimi kryesor mbahet në “Lëndinën e Pikëllimit” në Mejë të Gjakovës, ku më 27 prill1999 forcat serbe kanë rrembyer nga kolonat e refugjatëve dhe masakruar e zhdukur 377 shqiptarë. Asnjëri nga të ndalurit në rrethimin e hekurt nuk kishte arritur të dilte i gjallë.

Në Kosovë, në vitet 1998-’99 forcat serbe vranë e masakruan rreth 12 mijë shqiptarë,  e mijëra të tjerë i zhdukën duke i dërguar e groposur edhe në Serbi, apo edhe duke i djegur.  Menjëherë pas luftës kanë rezultuar 5.650 persona të zhdukur.

Pas zbulimit të disa varrezave masive në Serbi, autoritetet e Beogradit kanë kthyer në Kosovë mbetjet mortore të 707 shqiptarëve në 18 kontigjente të veçanta, si dhe 90 qeske me mbetje mortore.

Në  një konferencë  ndërkombëtare për persona të pagjetur, mbajtur në pranverën e vitit të kaluar në Prishtinë, është kërkuar që për zbardhjen e fatit të të zhdukurve të luftës në Kosovë KS i OKB  ta detyrojë Beogradin që t’i tregojë varrezat masive ende të pazbuluara.