Lajme Shqip Monday, 02 May 2011 12:20

Prishtinë – Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Reshat Maliqi, ka thënë se forcat e rendit tashmë kanë vënë kontaktet e drejtpërdrejta me disa shtete mike nga Evropa dhe po bëhen përgatitje maksimale që edhe Kosova sa më parë të anëtarësohet në organizatën policore evropiane, Europol dhe atë ndërkombëtare Interpol.

Derisa para një viti thuhej se çështja e njohjeve të pavarësisë së vendit tonë ishte problem për anëtarësim në Europol dhe Interpol, tani drejtues nga institucionet e sigurisë së Kosovës, thonë se janë vetëm plotësimi i disa procedurave dhe standardeve për anëtarësimin në këto organizata.

Shefi i policies, Reshat Maliqi tregon se tashmë janë në kontakte të drejtpërdrejta me disa shtete mike nga Evropa, të cilat po ndihmojnë arritjen sa më të shpejtë të standardeve që kërkohen për anëtarësim.

Duke e quajtur Policinë e Kosovës si një institucion mjaft efikas, ai theksoi se puna e deritashme e kryer me sukses ka bërë që të jenë të respektuar e të lidhin bashkëpunim me shumë vende.

Sipas tij, në aspektin e sigurisë Kosova me të gjitha shtetet e regjionit ka bashkëpunim shumë të mirë, përjashtuar këtu Serbinë me të cilën ekzistojnë vetëm kontakte të policisë kufitare, pra është një nivel shumë të ultë i bashkëpunimit.
Por edhe pse Kosova ka një përgatitje të mirë dhe po punon në plotësimin e infrastrukturës së nevojshme, anëtarësimi në mekanizmat ndërkombëtar të sigurisë Europol dhe Interpol, nuk do të bëhet shumë shpejtë, pasi duhet të plotësohen disa standarde.

Nëse Kosova anëtarësohet në organizatën policore evropiane, Europol dhe atë ndërkombëtare Interpol, atëherë mundësitë që qytetarët e Kosovës, sidomos figurat politike të vendit tonë të arrestohen sikur më parë në bazë të fletarrestimeve të Serbisë, s’do të ekzistonin pothuajse fare.

Ndryshe, Zyra e Policisë Evropiane (Europol) është bërë funksionale në vitin 1999, ndërsa Organizata Ndërkombëtare e Policisë (Interpol) në vitin 1923. Që të dyja këto organizata për detyrë kryesore kanë lehtësimin e bashkëpunimit ndërkombëtar, përkatësisht atë evropian të policisë në luftimin e krimit dhe dukurive negative.