Lajme Shqip Monday, 09 April 2012 09:52

Prishtinë – Dita e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, 9 Prilli është festë zyrtare e shtetit më të ri evropian. Katër vjet më parë, më pak se dy muaj nga shpallja e pavarësisë në 17 shkurt 2008,   Kuvendi, i mbledhur në seancë solemne të jashtëzakonshme më 9 prill, miratoi dhe shpalli Kushtetutën e Republikës së Kosovës, në të cilën theksohej se fuqizonte shtetin.

“Republika e Kosovës është shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik, dhe i pandashëm”, përcakton neni 1 i Kushtetutës, që pas miratimit në Kuvend, hyri nga 15 qershori i vitit të shpalljes së pavarësisë.

Kryeministri Hashim Thaçi vlerëson se Dita e Kushtetutës është ndër datat më të rëndësishme të themelimit të Republikës së Kosovës. “Miratimi i Kushtetutës mundësoi rivendosjen e ekzistencës tonë kombëtare, duke na mundësuar krijimin e themeleve për ndërtimin e një shteti funksional dhe demokratik, të bazuar në sundimin e rendit dhe ligjit dhe në mirëqenien sociale të qytetarëve”, shprehet Thaçi në një mesazh përgëzimi.

Sipas tij, Ditën e Kushtetutës së Kosovës të gjithë qytetarët e festojnë me ndjenjën më të lartë të krenarisë dhe  respektit, sepse ky dokument i lartë juridik është kurorëzim i luftës çlirimtare të popullit për liri, pavarësi dhe dinjitet shtetëror.

“Në 4-vjetorin e miratimit të Kushtetutës, Republika e Kosovës ka konsoliduar institucionet demokratike, ka fuqizuar sundimin e rendit dhe ligjit, po implementon reformat e gjithëmbarshme në politikë, ekonomi dhe legjislacion, në funksion të përmbushjes së plotë të axhendës evropiane të integrimit”, theksoi Thaçi.

Lideri i opozitës, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa në një mesazh shpreh urimet me rastin e 9 prillit, Ditës së Kushtetutës së Republikës së Kosovës. “Pas shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës, Dita e Miratimit të Kushtetutës paraqet njërën ndër datat më të rëndësishme të shtetit tonë të ri”, vlerëson ai.

Mustafa përkujton se Kushtetuta bazohet në vlerat më të larta të demokracive evroperëndimore, se e definon Republikën e Kosovës shtet laik dhe neutral në çështje të besimeve fetare, siguron ruajtjen dhe mbrojtjen e trashëgimisë së pasur kulturore dhe fetare, ndërsa thekson kornizat e qarta dhe për ekonominë.