Lajme Shqip Saturday, 26 March 2011 15:36

Prishtinë – Drejtori i Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, Sylë Tahirsylaj, porosit qytetarët se nuk ka nevojë për shqetësim pasi gjasat që radioaktiviteti të arrijë në vendin tonë janë shumë të vogla, kjo pas dëmtimit të centralit bërthamor në Japoni dhe shpërndarjes së radioaktivitetit në disa vende evropiane.

Tahirsylaj ka thënë se rrjedhja e radioaktivitetit në centralin bërthamor në Fukushima në Japoni ka krijuar një re radioaktive, e cila fatmirësisht nuk do të prekë Kosovën.

Ai megjithatë thotë se janë duke përcjellë situatën me vëmendje dhe se posedojnë aparaturën moderne për matjen e ndotjes së mjedisit dhe se qytetaret për çdo gjë do të informohen me kohë.

Derisa Tahirsylaj thotë se Kosova nuk është jashtë rrezikut, në Serbi janë detektuar grimcat radioaktive. Sipas informacioneve të Agjencisë për mbrojtje nga rrezatimi jonizues dhe siguri nukleare në Serbi, ato janë nën nivelin e rrezikut për jetën e njerëzve.

Ndryshe, mostrat e ujit të detit të marrë te centrali atomik Fukushima, sasia e radioaktivitetit të jodit është 1.250 herë më e lartë se sa masa e lejuar.