Lajme Shqip Wednesday, 07 December 2011 15:49

Prishtinë-Me shumicë votash, Kuvendi i Kosovës ka miratuar sot mocionin e Lëvizjes Vetëvendosje për marrjen e masave të reciprocitetit në raport me mallrat e Serbisë.

Mocioni është miratuar pas një debati rreth çështjes së masave të reciprocitetit me Serbinë, të cilat janë vendosur më 20 korrik të këtij viti, si kundërpërgjigje ndaj bllokadës që Serbia u ka vendosur mallrave nga Kosova.

Parashtruesi i kërkesës, Visar Ymeri, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, lexoi tri pikat e mocionit, të cilat më pas u miratuan me shumicën e votave të deputetëve të pranishëm në sallë.

Mocioni i Vetëvendosje u miratua me 44 vota pro, 33 kundër, ndërkaq 2 deputetë abstenuan. Ky ishte një prej rasteve të rralla kur opozita ia doli të miratojë një nismë, duke siguruar shumicën në Kuvend.

Mocioni i reciprocitetit i votuar sot në Kuvend parashikon: 

 1. Qeveria të marrë masat e reciprocitetit të plotë politik, ekonomik e tregtar ndaj Serbisë. 

2. Ministria e Tregtisë dhe Industrisë të nxisë dhe udhëheqë bashkëpunimin me prodhuesit vendorë dhe ndërmarrjet tregtare për gjetjen e zëvendësimeve për produktet e importuara ngaSerbia.

3. Qeveria t’i forcojë të gjithë mekanizmat shtetërorë për të siguruar zbatimin e përpiktë të masave të reciprocitetit ndaj Serbisë.