Lajme Shqip Friday, 09 August 2013 15:38

Bruksel- Marrëveshja për telekomunikacionin mes Kosovës dhe Serbisë, e propozuar nga Bashkimi Evropian, përmes të cilës parashihet që Kosova të marrë kodin telefonik shtetëror nga Organizata ndërkombëtare e Telekomunikacionit, nuk dihet ende nëse do të pranohet nga autoritetet serbe.
Ndonëse dje ishte afati i fundit që Serbia t’i jepte përgjigje BE-së rreth kësaj çështjeje, autoritetet në Prishtinë ende nuk kanë marrë ndonjë njoftim.
Dren Zeka këshilltar i zëvendëskryeministres Edita Tahiri, tha për Radio Kosovën se janë në pritje të njoftimit zyrtar nga BE-së.
“Këto ditë nuk ka pasur ndonjë takim në Bruksel për çështjen e telekomit, vetëm është pritur pasi dje ka qenë afati i fundit që Serbia ta konfirmon karshi BE-së se a e pranon draftin e fundit të marrëveshjes së propozuar nga BE-ja. Ne ende nuk kemi ndonjë njoftim nga Bashkimi Evropian si ndërmjetës i këtij procesi. Ne ende nuk e dimë se këtë marrëveshje a e ka pranuar apo jo Serbia. Mbetet në ditët në vijim të shihet”, tha Zeka.
Sipas marrëveshjes së propozuar nga BE-ja, Kosova pritet të marrë kodin ndërkombëtar telefonik +383, për të cilin në vjeshtë do të aplikojë një shtet anëtar i BE-së: Suedia, Italia ose Austria dhe njëkohësisht pritet normalizim në fushën e telekomunikacionit.
Ai sqaron se me këtë marrëveshje parashihet edhe një zgjidhje për komunitetin serb në Kosovë, por jo siç është raportuar në media se operatori i Serbisë do të ofrojë shërbime për lokalitetet e banuara me serbë:
“Këto janë më tepër spekulime. Serbia do të ketë një operator të limituar, të përkohshëm, që do të jetë i komunitetit serb të Kosovës e jo i shtetit të Serbisë. Shteti i Serbisë do t’i tërheqë operatorët ilegalë nga Kosova, kështu e parasheh marrëveshja”, tha Zeka.