Lajme Shqip Monday, 06 February 2012 20:00

Prishtinë – Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e sotme të drejtuar nga Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, ka shqyrtuar axhendën e aktiviteteve të Kuvendit për shënimin e 4-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, të shpallur më 17 shkurt 2008.

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, sipas një autorizimi të Kryesisë nga mbledhja e kaluar, ka prezantuar një propozim-skenar për shënimin e këtij përvjetori të rëndësishëm, i cili është shtuar me propozime të anëtarëve të tjerë të Kryesisë, por që ende nuk është përfundimtar.

Kryesia është njoftuar lidhur me vizitën zyrtare të Komisionit për Shëndetësi Punë dhe Mirëqenie Sociale realizuar në Turqi, kurse ka lejuar udhëtimin zyrtar në Kroaci të kryetarit të Komisionit për Integrime Evropiane, Lutfi Haziri dhe deputetëve: Burim Ramadani e Muhamet Mustafa.

Ata do të marrin pjesë në konferencën bilaterale me temën: “Republika e Kroacisë dhe Republika e Kosovës- Ndërtimi i një Aleance Efikase për Mbështetjen e Stabilitetit dhe Sigurisë”, që do të mbahet në Zagreb të Kroacisë, prej datës 21-23 shkurt 2012, organizuar nga shoqata “Gorge Marshall” në Republikën e Kroacisë dhe fondacioni  gjerman “Konrad Adenauer Stiftung”.