Lajme Shqip Monday, 24 September 2012 18:14

SHBA- Presidenti i Republikës Bujar Nishani ka folur sot në Takimin e Nivelit të Lartë të Asamblesë së OKB, për shtetin ligjor. Ai është shprehur fillimisht se Shteti i së Drejtës ka një rëndësi parësore në mirëqënien e shoqërive, ndërsa renditi Shqipërinë ndër vendet që respekton shtetin e së drejtës.

“Kështu që nuk është aspak për t’u habitur që konsolidimi i sundimit të ligjit në Shqipëri në nivel kombëtar është shëndërruar në parimin udhëheqës për një demokraci të re e të fuqizuar si dhe në gurin themeltar të një shoqërie të konsoliduar e në harmoni, të një ekonomie tregu të hapur e solide, të një qëndrueshmërie rajonal dhe paqeje dhe sigurie afatgjatë. Është pikërisht parimi i Shtetit të së Drejtës ai me të cilin ne kemi përafruar dhe përputhur të gjitha deklaratat tona kombëtare dhe ligjin ndërkombëtar, konventat dhe rregulloret tona si dhe vetë funksionimin e këtij organizmi madhështor. Sot Shqipëria gjendet në pararojë të mbështetjes dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe ne përkrahim luftën e të gjithë popujve për liri anembanë botës që nga Siria deri në Mianmar. Çdo regjim që dhunon ligjin e lirisë duhet të japë llogari në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar”, tha presidenti.

Duke deklaruar se vendi i tij, Shqipëria mbështet Gjykatat Ndërkombëtare, Presidenti Nishani i dha një shuplakë Serbisë, pasi i kujtoi se është për të ardhur keq që ky shtet nuk i ka marrë parasysh vendimet e ndërkombëtarëve për Kosovën.

“Është për të ardhur keq që nganjëhere vendimet dhe mendimet e Gjykatave Ndërkombëtare nuk merren parasysh nga shtetet, të cilat i kanë ngritur dhe paraqitur fillimisht si çështje gjyqësore. Kështu ishte edhe rasti me mendimin këshillues të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë mbi pavarësinë e Republikës së Kosovës”, tha Nishani.

Presidenti vuri në dukje gjatë fjalimit të tij, se Shqipëria mbetet një partner vërtet i përkushtuar ndaj promovimit të drejtësisë, mbajtjes së përgjegjësisë dhe tepër e vendosur për ndëshkueshmërinë e çdo krimi të kryer. “Shqipëria mbështet me gjithë zemër parimin e juridiksionit mbarëbotëror, sepse ne besojmë që ai është një mekanizëm i rëndësishëm për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë dhe për promovimin e përgjegjshmërisë. Shqipëria ka mbështetur dhe gjithmonë do të vazhdojë të mbështesë mandatet e Gjykatave Ndërkombëtare për rolin e tyre të pazëvendësueshëm në luftën ndaj pandëshkueshmërisë si dhe në vendosjen e standardeve të një drejtësie botërore në interes të paqes dhe sigurisë”, shtoi ai.

Ndërsa duke iu referuar luftrave në Ballkan, kreu i shtetit tha se disa shtete kanë keqpërdorur nacionalizmin.
“Në rajonin tim, atë të Ballkanit, popujt e etnive të ndryshme: shqiptarë, boshnjakë dhe kroatë kanë përjetuar disa nga luftërat më të tmerrshme në emër të nacionalizmit të keqpërdorur. Mendjet shoviniste përligjën ideologjinë e superioriteti të tyre mbi popujt e tjerë duke legjitimuar gjenocidet dhe masakrat që pasuan. Dy dekadat e fundit kanë treguar se nuk është një detyrë e lehtë që ta kthesh këtë faqe në librin e historisë së Ballkanit. Shkaktarët e këtyre tragjedive dhe gjenocidive natyrisht që nuk mund të jenë në gjendje ta bëjnë këtë gjë vetëm. Ajo që nevojitet është miratimi i të gjithë popujve, por para së gjithash dhe mbi të gjitha, nevojitet miratimi i viktimave që kërkojnë drejtësi. Vërehet me shqetësim se në Ballkan, në vend të kërkesave faljesh të sinqerta për masakrat dhe gjenocidin e shkaktuar, ne na serviren deklarata mohuese dhe mbi të gjitha, deklarata të bëra nga nivelet më të larta”, theksoi presidenti i Shqipërisë.

Ndërkohë që takimi i lartë drejtohej nga Presidenti i Asmablesë, ish-ministri i Jashtëm serb Vuk Jeremic, i cili mësohet se ka lënë sallën para se të merrte fjalën, Presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani.(LajmeShqip.com)