Lajme Shqip Monday, 31 October 2011 12:00

Prishtinë – Në Kosovë do të zhvillohet sot pasdite, ceremonia e fillimit të shpërndarjes së pasaportave biometrike, ndërsa aplikimet e para po bëhen gjatë paradites në Qendrën për Regjistrim Civil, në lagjen Ulpiana në Prishtinë.

Pjesëmarrës në ceremoni do të jenë kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, përfaqësues të Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian në Kosovë, ambasadorë dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare.

Prodhimi i pasaportave biometrike të Kosovës ka filluar në gusht të këtij viti në Austri, ku u theksua se ato janë të nivelit më të lartë dhe përmbajnë elementet më të sofistikuara, sa i përket sigurisë së tyre dhe se janë të njëjta si të gjitha pasaportat biometrike të shteteve të BE-së.

Pasaportat biometrike janë një hap tjetër në përmbushjen e detyrimeve, që ka Kosova në rrugën e saj evropiane, në procesin e liberalizmit të vizave.

Raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovë, Ulrike Lunacek, gjatë vizitës javën e kaluar në Prishtinë tha se ishte “e bindur se në dhjetor do të fillojë dialogu për liberalizimin e vizave”.