Lajme Shqip Wednesday, 30 November 2011 18:37

Institucionet qendrore të Republikës së Kosovës dhe partitë politike, kanë ngushëlluar familjen mbretërore të Shqipërisë, për vdekjen e Leka Zogut të Parë, pretendentit për fronin mbretëror.

Duke e cilësuar si figurë të rëndësishme, qeveria e Kosovës, në një telegram ngushëllimi, tha se populli i Kosovës do ta kujtojë Leka Zogun e Parë, për bashkëjetesën e tij me sakrificën e popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi.

Vlerësojmë lart kontributin e familjes mbretërore në ndërtimin e shtetit dhe demokracisë shqiptare dhe punën, përherë. në të mirë të Kombit. Qytetarët e Kosovës e ruajnë kujtimin për Mbretin e Shqiptarëve N.M.T. Leka I Zogu, i cili gjithmonë dhe në çdo rast ishte me Kosovën, thuhet ne telegramin e ngushëllimit, të Presidentes së  Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, drejtuar familjes mbretërore shqiptare pas ndarjes nga jeta të Naltmadhënisë së Tij, Mbretit të Shqiptarëve Leka I Zogu .

Në telegramin e ngushllimit të kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, drejtuar familjes së  familjes mbretërore shqiptare thuhet se “Leka Zogu i Parë ishte një figurë e rëndësishme, që përballoi shumë vështirësi në jetën e tij, që lanë gjurmë në kujtesën e popullit shqiptar. “Populli i Kosovës do ta përkujtojë Leka Zogun e Parë, që gjithherë bashkëjetoi me sakrificën e popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi”.

Në telegramin e LDK-së, dërguar udhëheqësve të institucioneve të Shqipërisë dhe familjes mbretërore, thuhet se LDK gjithmonë ka çmuar lart veprën e Familjes Mbretnore Shqiptare dhe të vetë pretendentit Leka Zogut I, në rrugën e vështirë për unitet kombëtar.

Ngushëllime për vdekjen e Leka Zogut të Parë ka dërguar edhe Aleanca Kosova e Re, duke e vlerësuar kontributin e familjes mbretërore në konsolidimin dhe zhvillimin e shtetit shqiptar, nën drejtimin e Mbretit Zog I, si edhe në përpjekjet e vazhdueshme në të mirë të kombit të të birit, Naltmadhënisë së Tij, Leka Zogu I.

AAK dhe populli i Kosovës, do ta kujtojnë përherë me respekt kontributin e çmuar të NMT Leka Zogu I në favor të përpjekjeve të popullit të Kosovës për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, ashtu si dhe bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme që NMT Leka Zogu I dhe Familja Mbretërore Shqiptare e ka dhënë për vendin tonë para dhe pas shpalljes së pavarësisë. Familjen e Pretendentit për Fronin e Mbretërisë Shqiptare Leka Zogu 1, e ngushëlloi edhe Presidentit i parë të Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu.