Lajme Shqip Wednesday, 24 August 2011 13:37

Prishtinë – E nisur gjatë një simpoziumi të mbajtur disa vite më parë në Kembrixh të Anglisë, ku merrnin pjesë kryeshefi i Agjencisë Kadastrale të Kosovës,  Prof. Dr. Murat Meha, dhe përfaqësuesit e Komisionit Drejtues Ndërkombëtar për Hartën Globale Botërore (ISCGM)  me seli në Japoni, si dhe falë bashkëpunimit profesional disavjeçar të ekspertëve kadastralë nga Kosova dhe me ndihmën e prof. Dr. Bashkim Idrizit nga Maqedonia,  të dhënat për Kosovën tashmë janë përfshirë në Hartën Globale Botërore.

Përmes një njoftimi nga sekretari i përgjithshëm i Komisionit Ndërkombëtar Drejtues për Hartën Globale Botërore, Yoshikazu Fukushima, thuhet se “që nga data 19 gusht e këtij viti baza e të dhënave për Kosovën është përfshirë në Hartën Globale Botërore dhe mund të gjenden në faqen zyrtare të kësaj kompanie”.

Prof. Dr. Murat Meha, kryeshef i Agjencisë Kadastrale të Kosovës, e vlerëson lartë këtë arritje. Ai deklaroi se Harta Globale është një pasuri e përbashkët e njerëzimit, dhe të dhënat e kësaj harte do të shpërndahen në të gjithë botën dhe do të jenë të hapura për publikun.