Lajme Shqip Monday, 21 March 2011 14:44

Prishtinë – Një plan i Kosovës drejt NATO-s është paralajmëruar sot në një takim të ministrit të Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, dhe ministrit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, Agim Çeku. 
Në takim u bisedua për intensifikimin e punëve të dy ministrive në integrimin e Kosovës në mekanizma të ndryshëm ndërkombëtarë dhe rajonalë në fushën e sigurisë. Një grup pune është ngritur për hartimin e një plani të përbashkët të veprimit për të përshpejtuar integrimin e Kosovës në këto nisma, bën të ditur zyra e shtypit e MPJ.
Ministri Hoxhaj siguroi se Ministria e Punëve të Jashtme do të angazhohet maksimalisht për integrimin e Kosovës në NATO dhe iniciativa tjera të sigurisë. “Ne do të jemi në shërbimin tuaj për çdo nismë, për çdo reformë, për çdo aktivitet të Ministrisë që ju e drejtoni. Ne po ashtu do të bëjmë përpjekje të përditshme për të qenë pjesë e strukturave euroatlantike”, tha ai.
Ministrat Hoxhaj dhe Çeku rane dakord që të themelojnë një grup për harmonizimin e punëve të dy ministrive. “Me punë të përditshme, ne duhet të synojmë anëtarësimin sa më të shpejt të Republikës së Kosovës në Partneritetin për Paqe”, tha Hoxhaj.