Lajme Shqip Sunday, 05 February 2012 17:11

Prishtinë-Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja, ka marrë vendim që javën e ardhshme të mos mbahet mësim në të gjitha shkollat fillore dhe të mesme në tërë territorin e Republikës së Kosovës.

Këtë vendim, siç theksojnë burimet zyrtare të Ministrisë, ministri Ramë Buja e ka marrë për shkak të motit që po mbretëron në gjithë Kosovën, i cili ka vështirësuar në masë të madhe lëvizjen qytetarëve dhe paralajmërimit se edhe gjatë javës së ardhshme do të mbretërojë mot i ftohtë dhe me reshje.

Duke qenë se informatat e vazhdueshme që MAShT-i i ka nga terreni, e që flasin për një gjendje tejet të vështirësuar të lëvizjes, është vendosur që mësimi të ndërpritet nga dita e hënë (6 shkurt) deri në ditën e premte (10 shkurt) në të gjitha shkollat fillore dhe të mesme në Kosovë.

Pas ditëve të fundit të janarit, kjo është hera e dytë në këtë dimër që Ministria e Arsimit e Kosovës merr vendim që për shkak të reshjeve të mëdha të dëborës dhe acarit të ndërpritet mësimi në të gjitha shkollat e vendit.

Për dëborën dhe të ftohtit e madh thuhet se ky dimër është i ngjashëm me dimrat e viteve 1956 dhe 1984 në Kosovë.

Trafiku zhvillohet me vështirësi, ndërsa  në komunën e Shterpcës drejt qendrës së skijimit në Brezovicë, ku ndodhen në ekskursion rreth 400 nxënës, rruga është mbyllur nga ortekët e dëborës. Ortekët më parë kishin mbyllur rrugën nga Peja drejt Rugovës dhe kanë shkaktuar bllokada edhe në rajone tjera të Kosovës. Në komunën më jugore të Kosovës, Dragash, trashësia e dëborës arrin në dy metra.

Komuna e Mitrovicës u ka hapur rrugën malore të bllokuar nga dëbora tre fshatrave shqiptare të Leposaviçit, komunës më veriore të Kosovë, Bistricës, Koshtovës dhe Cerajës, të cilat në anën tjetër vazhdojnë të jenë të bllokuara nga barrikadat serbe. (LajmeShqip.com)