Lajme Shqip Friday, 06 May 2011 13:06

Kuvendi i Kosovës ratifikoi sot gjashtë marrëveshje ndërmjet Qeverisë së Kosovës, institucioneve ndërkombëtare dhe Qeverisë së Luksemburgut, për financim dhe grante për disa projekte.

Prishtinë – Ministri i financave, Bedri Hamza, tha se gjashtë marrëveshjet e qeverisë së Kosovës dhe institucioneve ndërkombëtare janë shumë të rëndësishme për Kosovën. Sipas tij, këto marrëveshje nuk i dedikohen asnjë partie politike apo institucioni, por të gjithë qytetarëve të Kosovës.

Marrëveshja e parë ndërmjet qeverisë dhe Banka Botërore ka të bëjë me mbështetjen e politikave për përkrahjen e punësimit të qëndrueshëm, përmes së cilës Kosova do të përfitojë ndihmë buxhetore prej 55 milionë eurosh, 50 prej të cilave grant dhe 5 milionë kredi e butë.

Me marrëveshjen e dytë ndërmjet qeverisë dhe UNCTAD-it për projektin e softuerit ASYKUDA në Doganën e Kosovës, në vlerë 4 milionë euro, parashihet modernizimi i sistemit të doganës.

Marrëveshja e tretë ndërmjet qeverisë dhe shoqatës ndërkombëtare për zhvillim për regjistrimin e pasurisë së patundshme dhe kadastrat, gjegjësisht modernizimin e sistemit të regjistrimit, parasheh 5.5 milionë dollarë grant, kurse kredi 6.7 milionë dollarë.

Marrëveshja tjetër ndërmjet qeverisë, Bankës gjermane për zhvillim dhe ujësjellësit rajonal Prishtina, për përmirësimin e infrastrukturës së ujësjellësit, përmes granitit prej 11 milionë eurosh dhe 6 milionë euro kredi, po ashtu me afat të gjatë kthimi dhe kamatë të ultë.

Marrëveshja ndërmjet qeverisë së Kosovës dhe dukës së madh të Luksemburgut, për projektin e furnizimit me ujë të pijshëm në Mitrovicë, në vlerë prej 4.7 milionë eurosh, prej të cilave grant 4.5 milionë.

Nderkaq, marrëveshja e fundit për modernizimin e sektorit publik ndërmjet qeverisë dhe shoqatës ndërkombëtare për zhvillim përfshin 8 milionë dollarë, 3.6 milionë donacion ndërsa pjesa tjetër kredi e butë.

Përfaqësuesit e të gjitha grupeve parlamentare i mbështetën këto marrëveshje. Kurse kryetari i grupit të Vetëvendosjes, Visar Ymeri tha se nuk mbështesin vetëm marrëveshjen me UNKTAD-in, pasi ajo bazohet në rezolutën 12 44 të Kombeve të Bashkuara dhe ia zgjatë jetën UNMIK-ut. Por deputetët me shumicë votash ratifikuan të gjitha marrëveshjet.