Prishtinë – Kosova kërkon t’i mundësohet prezenca në Asamblenë e Përgjithshme të OSBE-së, fillimisht në cilësinë e vëzhguesit dhe më pas anëtarësimi.
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi, ka pritur sot në takim një delegacion të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, të kryesuar nga ambasadori Roberto Battelli, përfaqësues special për Evropën Juglindore i kësaj Asambleje.
Krasniqi i falënderoi përfaqësuesit e OSBE-së për mbështetjen e vazhdueshme që kjo organizatë i ka dhënë dhe po i jep Kosovës në shumë fusha.
“Kërkesë e veçantë e kryeparlamentarit Krasniqi ishte që edhe Kosovës t’i mundësohet prezenca në Asamblenë e Përgjithshme të OSBE-së, fillimisht në cilësinë e vëzhguesit dhe më pas përmes anëtarësimit me të drejta të plota”, theksohet në njoftimin nga zyra për media dhe marrëdhënie me publikun e Parlamentit kosovar.
Ambasadori Roberte Battelli theksoi se OSBE-ja është mike e tërë popullit të Kosovës dhe se i takon ekzekutivit të saj që t’i bëjë lëvizjet e nevojshme që mund të përfundojnë me një formë të pjesëmarrjes aktive të parlamentarëve të Kosovës në punën e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së.