Lajme Shqip Monday, 25 April 2011 11:26

Prishtinë – Kosova kërkon 172 prona të ndërmarrjeve shoqërore të saj në shtetet e dala nga ish-federata jugosllave.

Sipas një dokumenti që i referohet media në Prishtinë, më së shumti prona të ndërmarrjeve kosovare ka në Serbi – 104, pastaj në Mal të Zi – 42, në Bosnjë dhe Hercegovinë – 15, në Kroaci – 6, në Maqedoni – 4 dhe në Slloveni – 1.

Bëhet e ditur se Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës, bashkë me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, kanë krijuar një komision, i cili ka identifikuar pronat e ndërmarrjeve shoqërore, të cilat gjenden në shtetet e dala nga ish-federata jugosllave, ku Kosova ishte një nga elementet konstituive me të drejtë vetoje.

Burime zyrtare në Prishtinë kanë theksuar se sipas Ligjit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, bazuar edhe në Kushtetutë, pronat e Kosovës jashtë territorit të saj janë pronë e Kosovës dhe kjo e drejtë është përcaktuar edhe me Paketën Ahtisaari.