Lajme Shqip Friday, 21 September 2012 14:14

Prishtinë – Pas tridhjet vjetësh Kosova ka zyrtarisht numrin e popullisë. 1 milionë e 739 mijë e 825 është numri i përgjithshëm i cili u regjistrua gjatë prillit të vitit 2011, por pa përfshirjen e tri komunave veriore.

Rezultatet flasin për rënien numrit të lindjeve në dekadën e fundit. Pastaj 61% e popullsisë jetojnë në zonat rurale ndërsa 35% janë ekonomikisht joaktiv. Isa Krasniqi, kryeshef ekzekutiv i Agjencisë së Statistikave të Kosovës ka thënë se këto të dhëna do të vënë një pikë përfundimtare të gjitha spekulimeve joshkencore dhe se do të mundësojnë planifikim dhe zhvillim të politikave, të bazuara në parametra profesionalë. Ndërsa, zëvendëskryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri ka thënë se këto të dhëna do të kenë ndikime pozitive në fushën e zhvillimit, në ekonomi, arsim, demografi, studime shkencore si dhe zhvillimin e komunave. Ajo i ka quajtur thesar të dhënat që tashmë i posedon vendi ynë.

Qeveria e Kosovës e konsideron këtë regjistrim si projekt me rëndësi kapitale, si një faktor esencial në planifikimin e politikave zhvillimore dhe marrjen e vendimeve të drejta për një të ardhme më të mirë për shtetin tonë dhe qytetarët e saj”, ka thënë ajo.

Shefi i zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zhbogar ka thënë se posedimi i të dhënave të sakta është kyçe për çdo politikëbërje. Ai tha se këto të dhëna janë me rëndësi jetike për aspiratën e kosovës për tu anëtarësuar në BE.

I tërë ky proces është ndihmuar nga BE-ja përmes EUROSTAT-it në themelimin dhe udhëheqjen e operacionit monitorues ndërkombëtarë.(LajmeShqip.com)