Lajme Shqip Thursday, 13 August 2015 07:59

Qeveria e Kosovës nuk ka dërguar kërkesën për anëtarësim në UNESCO nëpërmjet Organizatës së Kombeve të Bashkuara. OKB-ja ka refuzuar që të jetë ndërmjetësuese në këtë proces

Kosova tash ka në plan që nëpërmjet një pale tjetër të arrijë që anëtarësimi të jetë pjesë e diskutimeve, fillimisht në Këshillin Ekzekutiv të UNESCO-s në tetor, që pastaj të procedohet për votim mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme të kësaj organizate ndërkombëtare, në nëntor, shkruan sot Koha Ditore.

Krejt kjo histori e aplikimit, sipas njohësve të këtij procesi nuk është dashur të ndodhte, pasi që rruga më e mirë konsiderohet të jetë dërgimi i drejtpërdrejtë i kërkesës në selinë e UNESCO-s, në Paris.

Lajmin se OKB-ja ka hequr dorë nga kjo çështje e ka bërë të ditur ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivica Daçiq.

Refuzimin e OKB-së që të jetë ndërmjetësuese në mes të Prishtinës dhe Parisit e ka konfirmuar edhe zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Petrit Selimi. Kjo mënyrë e aplikimit, sipas tij, ka qenë propozim nga Sekretariati i UNESCO-s.

Sipas historianit Jahja Drançolli nuk është më rëndësi se kush është ndërmjetësuesi për aplikim në UNESCO. Për të është më rëndësi se sa është e përgatitur Kosova, duke përfshirë edhe dokumentacionin relevant për aplikim në UNESCO.