Lajme Shqip Thursday, 16 February 2012 13:00

Prishtinë – Në vitin e madh kur gjithë kombi shqiptar feston 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, Kosova shtet i njohur deri sot nga 87 vende anëtare të OKB-së, nesër mbush katër vjet nga shpallja e pavarësisë së saj në 17 shkurtin historik 2008.

Në festimet e përvjetorit të kësaj ngjarje madhore të kombit, sot pasdite Kuvendi i Republikës së Kosovës mblidhet në një seancë solemne, ndërsa në mbrëmje presidentja kosovare organizon pritjen tradicionale me rastin e Ditës së Pavarësisë, e cila është festë shtetërore.

Në kryeqytetin e shtetit më të ri evropian, Prishtinë, nesër në sheshet “Skënderbej” e “Nënë Tereza”, të mbushura plot njerëz në festë, rreth mesditës do parakalojë edhe Forca e Sigurisë të Kosovës.

Programe festive, përfshirë koncertet dhe fishekzjarrët, organizojnë edhe komunat, përfshirë Mitrovicën, madje edhe në veriun e këtij qyteti të ndarë do festohet nga shqiptarët atje, po edhe nga pjesëtarët e komuniteteve tjera.

Ndërsa, në prag të 4-vjetorit të pavarësisë, strukturat ilegale serbe në veri, në vazhdimësi të kundërshtimit të shtetit të Kosovës edhe me barrikadat në rrugë, gjatë dy ditëve të kaluara mbajtën edhe një referendum.

Por, përmes një deklarate të miratuar dje pasdite “Kuvendi i Republikës së Kosovës e kundërshton dhe e shpall të paligjshëm e të pavlefshëm Referendumin e strukturave paralele në komunat veriore të Kosovës, të financuara e të drejtuara nga Republika e Serbisë kundër Pavarësisë, Sovranitetit dhe Integritetit territorial të Republikës së Kosovës”.

Kuvendi i Republikës së Kosovës, në deklaratë, inkurajon komunitetin serb të pjesës veriore që sa më shpejtë të angazhohet në implementimin e Propozimit Gjithëpërfshirës për zgjidhjen e Statusit të Kosovës dhe siguron se “Institucionet e Republikës së Kosovës konfirmojnë gatishmërinë e tyre për mbrojtjen dhe respektimin e të gjitha konventave ndërkombëtare, që garantojnë liritë dhe të drejtat e qytetarëve, si dhe të drejtat e pakicave”.

Qyteti më i madh jugor i Kosovës, Prizreni, tashmë ka filluar festimet me aktivitete kulturo-letrare në Shtëpinë e Kulturës, për të vazhduar edhe me veprimtari të tjera dhe në mbrëmje me koncertin e pavarësisë të ansamblit të këngëve dhe valleve “Lidhja e Prizrenit”.

Në qytetin e Lidhjes Shqiptare, por edhe në gjithë Kosovën, 17 shkurti festohet bashkë edhe me vëllezër nga Shqipëria, edhe më shumë prej kur dy shtetet u afruan edhe me Rrugën e Kombit.

Është viti i katërt që shqiptarët kanë dy festa të pavarësisë, të dytën – të Kosovës, që e festojnë bashkë, siç e festojnë së bashku edhe 100 vjetetorin e Pavarësisë së Shqipërisë.