Lajme Shqip Saturday, 04 February 2012 11:00

Prishtinë-Të punësuarit në Kosovë, në shumë raste, vazhdojnë të mos kenë siguri në vendet e tyre të punës.

Me Ligjin për siguri në punë, të miratuar para nëntë vjetësh, qeveria ka qenë e obliguar të krijojë Këshillin Kombëtar për siguri në punë, i cili do të hartonte politikat përkatëse, por kjo nuk është bërë. Mungesa e këtij këshilli është reflektuar negativisht tek punëtorët, thonë njohës të këtij lëmi.

Eksperti për emergjenca dhe siguri në punë, Nevahir Hazeri, thotë se mosthemelimi i këtij këshilli ka ndikuar që trysnia ndaj organeve përgjegjëse, ministrive dhe Inspektorateve ekzekutive të jetë më e vogël, dhe angazhimi i tyre më i mangët.

“Kjo gjendje ka rezultuar edhe me vazhdimin konstant të mospasjes së kushteve të sigurta në pune, pajisje mbrojtëse personale, ambient të pastër dhe të shëndetshëm dhe trajtim të duhur shëndetësor. Këto mangësi për punonjësin sjellin edhe punë me stres, me frikë, me mundime fizike e që të gjitha së bashku ndikojnë në uljen e efikasitetit, cilësisë se punës, por edhe rritjen e shpenzimeve për trajtim mjekësor dhe rehabilitues të punëtorëve”-thotë Hazeri.

As sindikalistët që angazhohen për të drejtat e punëtorëve, nuk janë interesuar fare për të. Madje duket se nuk janë as në dijeni se për çfarë këshilli bëhet fjalë. Megjithëkëtë, kryetari i Bashkimit të sindikatave të pavarura, Haxhi Arifi, thotë se formimi i tij do të ndikonte në avancimin e sigurisë në punë.

Kryeinspektori i Inspektoratit të punës, Basri Ibrahimi, thotë se ky këshill do të themelohet pas miratimit të ndryshim-plotësimeve të Ligjit për Siguri në Punë, që pritet të miratohet gjatë këtij viti.

Në këshill do të bëjnë pjesë ekspertë, zyrtarë të ministrisë së punës, përfaqësues të sindikatave dhe asociacioneve të biznesit, të cilët i hartojnë politikat për sigurinë në punë. (LajmeShqip.com)