Lajme Shqip Saturday, 30 April 2011 06:35

Shkup – Ndarja e pronave të cilat u trashëguan nga ish Jugosllavia është bërë një proces i vështirë për Republikat që dolën nga Federata e përbashkët. Me këtë problem, përveç Kosovës, po ballafaqohet edhe Maqedonia. Kosova, sipas disa burimeve, ka kërkuar që Maqedonia t’i japë një pjesë të pasurisë së saj, të cilën e ka trashëguar nga ish-Jugosllavia, ku bëjnë pjesë objekte shtetërore dhe çështje tjera private të qytetarëve. Sipas burimeve të njëjta një kërkesë e tillë nga Prishtina është refuzuar nga pala maqedonase.

Ndërkohë, ambasadori i Maqedonisë në Kosovë, Stojan Karajanov i përgënjeshtron pohimet e tilla. “Nuk është i vërtetë një pohim i tillë. Ky ka qenë vetëm një pohim i disa mediave të vendit, dhe nuk duhet t’i kushtohet shumë rëndësi. Deri te Ambasada e Maqedonisë në Kosovë nuk ka arritur kurrfarë shkrimi se kërkohet të bisedohet për çështje të tilla. Deri më tani për të gjitha paqartësitë të cilat i kemi patur me Kosovën jemi ulur dhe kemi biseduar paraprakisht për të gjitha çështjet”, ka thënë Karajanov.

Sipas tij, nëse një çështje e tillë do të hapej, pala kosovare do të dorëzonte deri te ne një shkresë ku do të kërkonte të realizohet ndonjë takim eventual në mes dy ministrive të Punëve të Jashtme lidhur me këtë çështje. Çështja tjetër më problematike është edhe ndarja e 44 objekteve, të ish Jugosllavisë, të cilat ky shtet i ka patur si përfaqësi diplomatike të huaja në shumë vende të huaja, e të cilat për momentin janë në pronë të Serbisë. Kosova duhet të marrë një pjesë, ndërsa Maqedonisë i takojnë katër prej tyre. Kosova në këtë drejtim po ashtu ka edhe një problem tjetër sepse marrëveshja e cila është nënshkruar në vitin 2001, Kosova dhe Mali i Zi kanë qenë shtete të përbashkëta ligjërisht, dhe nuk janë si palë të barabarta të përfaqësuar. Në këtë drejtim sipas palës maqedonase, pala serbe është duke e zvarritur këtë procedurë. Zv/ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë, Zoran Petrov, i cili njëherësh është edhe shef i ekipit maqedonas për sukcesion thotë se këtu nuk mund të bëhet fjalë vetëm për objekte, por në mes dy vendeve ka shumë tema të ndryshme të cilat janë hapur dhe të cilat duhet të zgjidhen me kalimin e kohës. “Ne me shtetin e Kosovës jemi duke ndërtuar raporte shumë të mira miqësore. Në mënyrë bilaterale kemi zgjidhur deri më tani shumë çështje. Një gjë të tillë do të vazhdojmë ta bëjmë edhe në të ardhmen. Nuk mund të bëhet këtu fjalë vetëm për objekte, dhe pasuri të trashëguar nga ish Jugosllavia, por këtu lidhen edhe kontributet e punëtorëve tanë në Kosovë, dhe anasjelltas, pastaj çështja e pensionistëve dhe të tjera”, ka thënë Petrov. Ambasadori i Republikës së Kosovës në Maqedoni, Skender Durmishi lidhur me këtë theksoi se të gjitha këto çështje janë pjesë e proceseve në të cilën po kalon rajoni. “Këto janë çështje të cilat kërkojnë zgjidhje përmes procesit demokratik dhe debatit të ndërsjellë. Janë probleme të cilat rajoni i ka trashëguar nga një shtet i cili ka qenë i përbashkët. Por, me kalimin e kohës edhe këto çështje do të zgjidhen”, tha mes tjerash Durmishi.