Lajme Shqip Thursday, 22 March 2012 20:05

Prishtinë – Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, priti të enjten  delegacionin e parlamentarëve italianë të Asamblesë së OSBE-së, të kryesuar nga Riccardo Migliori, president i delegacionit italian në Asamblenë Parlamentare të OSBE-së dhe zëvendëspresident i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së.

Delegacioni i OSBE-së bëri të ditur se “po shqyrtohen modalitetet që Kosova të jetë pjesë e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së”. Në këtë frymë u shtrua nevoja që Komisioni për Punë të Jashtme i Kuvendit të Kosovës të krijojë një grup pune për vendosjen e marrëdhënieve të vazhdueshme me OSBE-në, me qëllim të intensifikimit të marrëdhënieve me OSBE-në.

Po ashtu anëtarët e delegacionit kërkuan intensifikimin e marrëdhënieve ndërmjet Parlamentit të Italisë dhe atij të Kosovës, si dhe për formimin e grupit të miqësisë në mes dy parlamenteve.

Në vijim delegacioni italian diskutoi edhe për çështjen e zgjedhjeve parlamentare të Serbisë edhe në Kosovë, të cilat do të mbaheshin nën mbikëqyrjen e OSBE-së.

Nga ana e tij Krasniqi theksoi se Kosova vazhdimisht ka bërë kompromise që nga Rambujeja e deri në bisedimet e Brukselit, ndërkaq, Serbia nuk ka treguar gatishmëri për implementimin e marrëveshjeve të arritura.

Sipas tij, “Serbia ka bërë ndërhyrje të rëndë në veri të Kosovës, ndërsa zgjedhjet serbe çfarëdo qofshin ato, lokale ose parlamentare, janë të papranueshme për Kosovën”.

Kreu i legjislativit të vendit ngriti çështjen e të zhdukurve, e cila ende është e pazgjidhur, ndërsa akuzoi Serbinë se nuk po bënte asgjë në këtë drejtim.

“Ekonomia që sot kemi në Kosovë është edhe si pasojë eshfrytëzimit, por edhe shkatërrimit të saj nga Serbia gjatë luftës”, tha më tej Krasniqi.