Lajme Shqip Friday, 22 April 2011 09:01

Shkup – Shefi i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shkup, ambasadori Peter Sorensen, ka vizituar të Ambasadën e Kosovës në Shkup. Zhvillimet aktuale në vend e në rajon dhe bashkëpunimi kanë qenë në fokus të takimit.

I ngarkuari me punë në Ambasadën e Republikës së Kosovës, Skënder Durmishi, e ka njoftuar ambasadorin Sorensen me punën e Ambasadës së Kosovës dhe prioritetet e angazhimit në vazhdim. Ai ka shprehur interesimin për bashkëpunim aktiv me delegacionin e BE-së.

Në këtë kuadër u përmendën projektet për realizimin e të cilave do të jetë e rëndësishme dhe e mirëseardhur mbështetja e Delegacionit të BE-së, veçanërisht në pjesën e bashkëpunimit ndërkufitar Kosovë-Maqedoni, të cilat pritet të realizohen si projekte strategjike dhe me fondet e IPA-së.

Ishte konstatim i përbashkët dhe u vlerësua lartë niveli i bashkëpunimit ndërshtetëror midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë, të cilat me këtë bashkëpunim po japin shembullin e mirë të bashkëpunimit rajonal, si hap i rëndësishëm për proceset integruese të rajonit. Ambasadori Sorensen ka takuar takoi edhe ministrin e Ekologjisë, Nexhati Jakupi. Takimi është përqëndruar në mbështetjen, të cilën ia jep Bashkimi Evropian Maqedonisë si faktor kryesor në zbatimin e proceseve nga sfera e mjedisit jetësor në rajon.

Sorensen shprehu mbështetje të madhe drejt administratës së Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, në procesin e zbatimit të projekteve të programeve IPA nga sfera e mjedisit jetësor, ndërsa janë përfshirë në IPA komponentat 1 dhe 3.