Lajme Shqip Tuesday, 02 October 2012 13:15

PRISHTINË – Sot në Prishtinë u nënshkrua një Memorandum Mirëkuptimi mes Republikës së Kosovës dhe Principatës së Litershtajnit për bashkëpunim në fushën e Migracionit.

Memorandumi u nënshkrua nga ministri kosovar i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, dhe ministri i Punëve të Brendshme nga Principata e Litershtajnit, Hugo Quaderer.

Rexhepi falënderoi për mbështetjen e vazhdueshme të Litershtajnit, ndër të parat vende që kanë njohur Republikën e Kosovës, si dhe për gjendjen e sigurisë së përgjithshme në vend.

Ai kërkoi nga delegacioni i Litershtajnit të shikojnë mundësitë e migrimit të rregullt, që në mënyrë të kontrolluar qytetarë të Republikës së Kosovës të qëndrojnë për punë sezonale në këtë shtet.

Ministri Quaderer vuri në dukje se në Litershtajn jetojnë afërsisht rreth 350 persona nga Republika e Kosovës dhe ata janë jashtëzakonisht të mirëintegruar në shoqërinë e Litershtajnit. Ai vlerësoi idenë e ministrit Rexhepi për punë sezonale të qytetarëve të Kosovës dhe premtoi se kjo kërkesë do të shqyrtohet në nivel të ekspertëve në identifikimin e profileve për punë të përkohshme në këtë shtet.(LajmeShqip.com)