Lajme Shqip Friday, 11 September 2015 15:42

Qeveria e Kosovës nuk ka nisur ende negociatat me Holandën, ku do të jetë selia e gjykatës së re për krime të luftës, pasi opozita e ka dërguar një ankesë në Gjykatën Kushtetuese.

Një këshilltar i ministrit të jashtëm të Kosovës, Hashim Thaçi tha për BIRN se qeveria nuk ka filluar ende negociatat me qeverinë e Holandës për ta bërë selinë e ‘Dhomave të Specializuara’ të cilat pritet t’i gjykojnë dyshimet për krime lufte nga ana e ish luftërarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Adil Behramaj tha se qeveria është duke pritur Gjykatën Kushtetuese ta japë opinionin e vet rreth legalitetit të ndryshimeve kushtetuese që mundësojnë themelimin e gjykatës së re.

“Së pari po presim opinionin e Gjykatës Kushtetuese pastaj do të diskutojmë për Gjykatën Speciale”, tha Behramaj për BIRN.

Më 11 gusht, tri partitë opozitare të Kosovës që e kundërshtojnë gjykatën duke thënë se ajo përbën fyerje të luftës së UÇK-së kundër forcave serbe, iu drejtuan Gjykatës Kushtetuese me një argument se specialja përbën shkelje të kushtetutës. Ato thonë se Gjykata Speciale do ta minojë sovranitetin e Kosovës në çështje të gjyqësisë.

Kushtetuesja ka gati edhe një muaj kohë për ta dhënë opinionin e vet.

Edhe qeveria holandeze konfirmoi se negociatat me autoritetet e Kosovës nuk kanë filluar ende.

“Qeveria e Holandës nuk ka vendosur ende rreth selisë se tribunalit të përmendur. Si rezultat i kësaj, nuk mund të ofrohet asnjë informacion rreth lokacionit, kostos ose përzgjedhjes së gjykatësve”, tha për BIRN qeveria holandeze.

Më 3 gusht, deputetët e Kuvendit të Kosovës miratuan ndryshimet kushtetuese që mundësojnë themelimin e kësaj gjykate

Maja Kocijançiç, zëdhënëse e Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian Federica Mogherini, tha se gjykata nuk mund të bëhet funksionale pa përfunduar negociatat ndërmjet qeverive të Kosovës dhe Holandës.

“Përfundimi i negociatave ndërmjet Holandës dhe Kosovës do ta mbyllë edhe kornizën ligjore dhe kjo është një çështje që duhet të adresohet me ta”, tha Kocijançiç.