Lajme Shqip Wednesday, 20 April 2011 06:45

Prishtinë – Kosova dhe Belgjika nënshkrun dje pasdite në Prishtinë një protokoll bashkëpunimi mes dy ministrive të Punëve të Jashtme.

Marreveshja u firmos nga ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj dhe zëvendëskryeministri e ministër i Punëve të Jashtme i Belgjikës, Steven Vanackere, pas një takimi të zhvilluar, ku ministri kosovar ka falënderuar homologun belg për kontributin e gjatë të Belgjikës për Kosovën dhe ecjen e saj të deritashme dhe ka kërkuar përkrahjen e mëtejshme të këtij shteti shumë të rëndësishëm të Bashkimit Evropian në proceset e ardhshme integruese të Republikës së Kosovës.

Në këtë aspekt, sipas zyrës së shtypit të MPJ, ministri Hoxhaj ka theksuar se qytetarët e Kosovës e meritojnë të jenë pjesë e procesit të liberalizmit të vizave.

Hoxhaj tha se “ky protokoll i bashkëpunimit mes dy ministrive të punëve të jashtme, synon që dy ministritë përkatëse të kenë konsultime, këshillime dhe takime në baza të rregullta, për çështje të interesit bilateral, të integrimeve euroatlantike, për çështje të politikës ndërkombëtare dhe për çështje të bashkëpunimit rajonal”.

Ndersa zëvendëskryeministri e ministri i Punëve të Jashtme i Belgjikës, Steven Vanackere, është shprehur shumë i kënaqur me rezultatet e vizitës zyrtare në Kosovë dhe takimet e zhvilluara me udhëheqësit e institucioneve të Republikës së Kosovës.

Ministri Vanackere ka vlerësuar edhe memorandumin e mirëkuptimit të nënshkruar me Ministrin e Punëve të Jashtme të Kosovës, duke e cilësuar atë si një hap konkret për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve edhe dy diplomacive.