Lajme Shqip Sunday, 23 August 2015 14:49

Kosova thotë se është e vendosur që Marrëveshjet e arritur në dialogun me Serbinë të gjejnë zbatim të plotë, përndryshe zyrtarët qeveritarë zotohen se në rast që reciprociteti vazhdon të mungojë nga shteti serb, njëjtë do të veprojë edhe Kosova.

Kështu tha në një prononcim për KosovaPress, ministrja për Dialog, EditaTahiri, sipas së cilës është koha që Marrëveshja për Lëvizje të Lirë të qytetarëve dhe veturave në mes të të dyja shteteve të gjejë zbatim të plotë.

Ndonëse theksoi se shteti serb me pranimin e letërnjoftimeve të shtetit të Kosovës ka njohur ‘de facto’ shtetësinë e Kosovës, moszbatimi i marrëveshjes thotë se tregon që Serbia vazhdon aplikojë praktika të natyrës politike.

Ajo tha se në raste se Serbia sërish nuk do të zbatojë reciprocitetin, palës kosovare s’i mbetet gjë tjetër veçse të aplikojë këtë dokument për shtetasit e Serbisë që hyjnë brenda territorit të Kosovës.

“Në shtator do të mbahet takimi ku ne do të kërkojmë që Serbia të zbatojë reciprocitetin, sepse në marrëveshje ka reciprocitet, pra çka vlen për Serbinë vlen edhe për Qeverinë e Kosovës. Kemi paralajmëruar se nëse Serbia nuk do të marrë vendime me i heq këto elemente shtesë, do të marrim vendim që edhe ne t’i aplikojmë”, tha Tahiri.

Ditë më parë, në pyetjen drejtuar nga KosovaPress për zëdhënësen e Përfaqësueses së Lartë Bashkimit Evropian për Politik të Jashtme, Maja Kocijancic, se a ka marrë ndonjë vërejtje deri më tani pala serbe për mos zbatim, ajo është përgjigjur se procesi është në zhvillim e sipër.

“Zbatimi i Marrëveshjes për lëvizje të Lirë është një proces qe është ende në zhvillim e sipër. Takimi i radhës (në nivel ekspertësh) do të planifikohen pas pushimeve të verës, në shtator”, ka qenë përgjigja e saj.

Ajo është shprehur se asnjëra palë nuk mund të anashkalojnë këtë Marrëveshje.

“Këto rregulla janë pjesë përbërëse e Marrëveshjes për lëvizje të Lirë. Asnjë detyrim nuk mund të anashkalohet nga ajo marrëveshje qe të dy palët kanë për të hequr dokumentin “hyrje/dalje”, është përgjigjur Kocijancic.