Lajme Shqip Friday, 16 November 2012 20:39

Prishtinë – Kosova do të bëhet anëtare e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH). Si njofton qendra informative e BERZH-it, rezoluta e miratuar sot thekson se vendimi është pa paragjykim ndaj pozicioneve të anëtarëve individualë të BERZH-it sa i përket statusit të Kosovës. Pas miratimit të rezolutës, Kosova do të bëhet anëtarja e 66-të e Bankës, në qoftë se deri më 17 dhjetor të këtij viti kompleton procedurat e brendshme për anëtarësim, siç përcaktohet me rezolutë.

Pasi të bëhet anëtare e BERZH-it, kjo banka do të kërkojë për të mbështetur ekonominë e Kosovës dhe për të përmirësuar jetën e njerëzve atje, të lehtësojë tranzicionin dhe të kontribuojnë në stabilitetin rajonal. Për këtë qëllim, ajo do të sigurojë koordinimin e nevojshëm me institucionet tjera financiare ndërkombëtare dhe me donatorë ndërkombëtarë.

Vendimi u mirëprit nga kryetari BERZH-it, Suma Chakrabarti, i cili tha se BERZH do të jetë i kënaqur të jetë në gjendje për të adresuar nevojat e Kosovës. “Banka do të punojë për zhvillimin e sektorit privat, si dhe për investime në përmirësimin e infrastrukturës dhe do të ndihmojë në forcimin e ekonomisë në përgjithësi. Nga kjo do të përfitojnë të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë”, tha ai.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga përshëndeti vendimin e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për pranimin e Kosovës në këtë institucion të rëndësishëm financiar.

“Anëtarësimi në BERZH është një hap i shumëpritur dhe i rëndësishëm, dhe krahas anëtarësimit të vendit në Bankën Botërore dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar, paraqet ndër momentet më të rëndësishme në konsolidimin e shtetit të Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe për reformën tonë të brendshme drejt zhvillimit dhe forcimit të ekonomisë së tregut të lirë.

Anëtarësimi në BERZH do të ndihmojë në zhvillimin ekonomik, zbatimin e reformave e standardeve evropiane dhe zhvillimin e infrastrukturës, përmes mbështetjes së zhvillimit të sektorit privat, mobilizimit të kapitalit të jashtëm dhe përmirësimit të ambientit për investime”, thuhet në mesazhin e Jahjagës.

Lajmin e ka përshëndetur edhe kryeministri Hashim Thaçi, i cili këtë e ka cilësuar si një laj të shkëlqyer dhe shumë domethënës për Kosovën për disa arsye.

Sipas Thaçit, në këtë bankë janë anëtare edhe gati 30 shtete që nuk e kanë njohur Kosovën si shtet, “prandaj lobimi ynë i gjatë ishte që të fitojmë dy të tretat e votave për Republikën e Kosovës, që edhe ne të jemi anëtare e kësaj organizate që investon në shumë fusha të rëndësishme për Kosovën”.

“Benefiti i dytë që do ta ketë Kosova është ai ekonomik. Kjo bankë është investuese e madhe në shtete që përjetojnë tranzicion dhe investon në një gamë të gjerë. Bizneset private, bankat lokale, projektet publiko-private, por edhe komunat kanë të drejtë aplikimi për fonde dhe kredi të favorshme dhe përqindje të ulëta interesi.

Në reagimin e tij, Thaçi thekson se Kosova është e interesuar të ketë investime në tre fusha me rëndësi nacionale: bujqësi, ndërmarrje të vogla dhe të mesme, si dhe në sektorin e energjetikës, përkatësisht projektet e Termocentralit “Kosova e Re” dhe Hidrocentralit të Zhurit.

Ndërkaq, “arsyeja e tretë e gëzimit ndërlidhet edhe me momentin politik në të cilin po kalojmë sot ne si shtet dhe si shoqëri”, thekson kryeministri Thaçi, me ftesën që “të qëndrojmë të bashkuar edhe në hapat e mëtutjeshëm të integrimeve evropiane, dialogut me fqinjë dhe sukseseve të radhës, deri tek anëtarësimi ynë në BE, NATO dhe OKB”. (LajmeShqip.com)