Lajme Shqip Friday, 29 April 2011 14:28

Prishtinё – Përfaqësuesit e subjekteve politike janë pajtuar që sa më shpejt të bëhen ndryshimet kushtetuese, gjithnjë duke mos munguar edhe debati publik për këtë çështje.

Këto qëndrime kanë dalë nga mbledhja konstituive e Komisionit për Amendamentimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Kryetari i këtij komisioni, Arsim Bajrami, ka thënë se mandati i komisionit është që të përgatit amendamentet në Kushtetutë që ndërlidhen me mënyrën e zgjedhjes së presidentit.

Bajrami ka shtuar se në bazë të kërkesës do të amandamentohen edhe ato pjesë të Kushtetutës që i referohen sistemit zgjedhorë .

Vjosa Osmani nga radhët e LDK-së ka shfaqur shpresën se do të punohet me konstruktivitet në këtë komision që sa më parë të përfundohet puna.

Ndërkaq anëtari nga Lëvizja Vetëvendosje, Glauk Konjufca ka thënë se sfidë e madhe do të jetë kapërcimi i ndryshimeve kushtetuese.

Edhe anëtari nga radhët e AAK-së, Ardian Gjini ka thënë se ndryshimi i Kushtetutës është jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe duhet të bëhet sa më  shpejt.

Komisioni për Amendamentimin e Kushtetutës së Kosovës është formuar pas marrëveshjes ndërmjet PDK-së, AKR-së dhe LDK-së për kapërcimin e krizës rreth zgjedhjes së presidentit, pasi që Gjykata Kushtetuese konstatoi se zgjedhja e Behgjet Pacollit përbën shkelje Kushtetuese.