Lajme Shqip Friday, 23 March 2012 14:56

Tiranë -Kreu i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Eugen Wollfarth u shpreh në një intervistë për DW se ecja përpara e Shqipërisë me reformat që nevojiten për integrimin në BE, kërkon bashkëpunim konstruktiv mes të gjithë aktorëve politikë.

“Të gjitha kampet politike duhet t’i lexojnë raportet e OSBE/ODIHR-it për vitin 2009 dhe 2011 në tërësi. Rekomandimet që përmbajnë këto raporte duhen shndërruar në një reformë të suksesshme të kodit zgjedhor. Nevojitet që reforma të përfundojë në kohë dhe mjaft para zgjedhjeve. Duhet treguar një vullnet edhe më i madh politik. Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Reformën e Kodit Zgjedhor po punon dhe progresi i kësaj pune po bëhet i dukshëm. Megjithatë, është e nevojshme që ky proces të përshpejtohet dhe intensifikohet, sepse kanë mbetur ende një sërë çështjesh thelbësore për t’u diskutuar. Ajo që ka më shumë rëndësi është përmbajtja! Për këtë arsye nevojitet një përfundim në kohë por edhe cilësor i këtij procesi, që vjen si rezultat i një pune konstruktive nga të gjitha palët. Në fund të fundit është një proces shqiptar dhe i takon shqiptarëve ta çojnë përpara. Janë shqiptarët ata që duhet ta dëshirojnë këtë më shumë sesa komuniteti ndërkombëtar. Unë inkurajoj Komisionin Parlamentar dhe çdo anëtar të tij të përdorin sa më mirë kohën e mbetur deri në fund të prillit në mënyrë që të kryejnë një reformë të plotë dhe të një cilësie të lartë. Veprimet e marra në minutën e fundit nuk janë asnjëherë të mira mjaftueshëm dhe kësaj here nuk do të funksiononte”, thekson Wollfarth,

Sipas tij, “Prezenca e OSBE-së ndihet e inkurajuar nga fakti që procesi ka filluar dhe po e ndjek nga afër. OSBE/ODIHR po i ofron asistencë teknike Komisionit të Posaçëm në kuadrin e një projekti të Prezencës së OSBE-së në mbështetje të reformës zgjedhore, financuar nga Mbretëria e Bashkuar. Ekspertët e OSBE/ODIHR-it kanë kryer disa vizita në Tiranë gjatë dy muajve të fundit ku janë takuar me aktorë të rëndësishëm vendas dhe kanë ofruar ekspertizë teknike në lidhje me projekt-ndryshimet e diskutuara në Komisionin e Posaçëm Parlamentar. Në javën e ardhshme Prezenca do të ndihmojë Komisionin e Posaçëm me organizimin e një tryeze të rrumbullakët të rëndësishme për reformën e kodit zgjedhor ku do të marrin pjesë deputetë, politikanë, përfaqësues nga shoqëria civile dhe ekspertë ndërkombëtarë të OSBE/ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias. Jam i bindur se do të jetë një tryezë shumë pozitive dhe e suksesshme.

Wollfarth shprehet se mosgarantimi i pronësisë përbën një pengesë për investimet private dhe publike dhe huadhënien. “Këto çështje do të mbeten të pazgjidhura derisa të ketë progres në zhvillimin e një strategjie gjithëpërfshirëse të reformës së pronës. Strategjia nevojitet gjithashtu për të ofruar siguri, për të shmangur konfliktet dhe për të formuar bazën e zhvillimit ekonomik. Strategjia duhet të krijojë një vizion të qartë dhe gjithëpërfshirës. Ajo duhet të krijojë dhe të reflektojë konsensus publik në lidhje me qëllimin e dëshiruar të reformave, dhe të përcaktojë hapa konkretë dhe një afat kohor të arsyeshëm dhe realist për përmbushjen e këtij qëllimi. Edhe pse një strategji nuk mund të kënaqë të gjithë partnerët, ajo duhet të përfaqësojë një kompromis të aktorëve të përfshirë për të pasur reforma të qëndrueshme. Një tjetër shqetësim përbëjnë pretendimet e pazgjidhura të ish pronarëve për kompensim apo kthim të pronave të konfiskuara gjatë regjimit të mëparshëm. Deri më tani, shumë pak ish pronarë kanë parë zgjidhje të kërkesave të tyre. Procesi është ngadalësuar nga një debat lidhur me autoritetin e agjencisë përgjegjëse për çështjen e pronave. Duket se ka edhe një mungesë transparence dhe konsultimesh në hartimin e legjislacionit të pronave. Nevojitet një përforcim i koordinimit midis Qeverisë dhe agjencive përkatëse sepse aktualisht shohim një mungesë të panevojshme efiçence dhe mbivendosje përpjekjesh. Mungesa e një kuadri strategjik ka çuar në planifikim të dobët dhe në ndarje të pamjaftueshme të buxhetit të nevojshëm për të siguruar zbatimin e plotë”, deklaron ambasadori Wollfarth

Në kuadrin e luftës kundër korrupsionit, Wollfarth shprehet se, “Qeveria ka miratuar ndryshime të Kodit Penal në lidhje me veprat e korrupsionit nga zyrtarë të huaj dhe në lidhje me vendosjen e gjobave të konsiderueshme në rastet e korrupsionit në sektorin privat. Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive ka bërë progres në punën e vet, duke përfshirë edhe shtimin e rasteve të ndjekjes penale të zyrtarëve të korruptuar të niveleve të ulëta e të mesme. Futja e sistemeve të prokurimit elektronik në administratën publike pakëson kontaktet mes autoriteteve kontraktuese dhe ofruesve, duke ulur si rrjedhojë mundësitë për korrupsion. Megjithatë, mbetet ende problem çështja e hetimit të zyrtarëve të lartë shtetëror të akuzuar për korrupsion për shkak të mungesës së ndjekjes së mëtejshme nga Prokuroria. Një historik më i mirë vendimesh gjyqësore dhe dënimesh të përshtatshme dhe/apo gjobash për rastet e zyrtarëve të lartë shtetërorë të përfshirë në korrupsion do të ishte i nevojshëm për rivendosjen e besimit të publikut. Së fundi, lufta kundër korrupsionit do të ketë sukses kur të gjitha palët politike të punojnë së bashku në vend që ta keqpërdorin këtë luftë për interesat e tyre vetjake”.

Në lidhje me faktin se pas dy refuzimeve që i janë bërë Shqipërisë për marrjen e statusit të vendit kandidat për në BE, a do të përmbushet këtë vjeshtë  ky angazhim Wollfarth thekson se, “për të ecur përpara me axhendën e reformave nevojitet një zgjidhje vendimtare dhe bashkëpunim konstruktiv për të gjitha fushat kryesore të reformës me dhe brenda në Parlament, i cili është mekanizmi për një vendimmarrje të përbashkët, dhe ky mbetet një tregues vendimtar nëse Shqipëria do të ecë përpara apo jo. Unë jam optimist se mund të arrihet progres i konsiderueshëm. Kjo është plotësisht në duart e Shqipërisë”. (LajmeShqip.com)