Lajme Shqip Friday, 20 April 2012 12:02

Prishtinë – Afati ligjor për zhvillimin e hetimeve lidhur me dyshimet për korrupsion ndaj deputetit Fatmir Limaj përfundon të hënën. Limaj  është ftuar sot në një intervistë në kampin Bravo në Fushë Kosovë ku do ti kërkohet të sqaroj disa nga dyshimet për krime ekonomike gjatë kohës derisa ishte ministër në ministrinë e transportit.

Prokuroria e EULEX-it i ka shfrytëzuar të gjitha afatet e mundshme për zhvillimin e hetimeve, përfshirë edhe afatin e fundit gjashtë mujor të lejuar nga Gjykata Supreme.

Hetues të EULEX-it  kanë shtuar intensitetin e punës së tyre duke marrë edhe mostrat e Asfaltit të shtruar në kohën kur Limaj ishte ministër.

Avokati mbrojtës i Limajt, Tahir Rrecaj tha se pret pushimin e këtyre hetimeve.

Ditë më parë një trup gjykues i përbërë nga dy gjyqtarë të EULEX-it dhe një vendor kishte nxjerrë aktgjykim lirues për gjashtë nga të akuzuarit e rastit Kleçka ndërsa për deputetin Limaj dhe tre të tjerë kishte vendosur vazhdimin e shqyrtimit gjyqësor. Mbrojtja kishte  deklaruar se ky ishte rast i pa shembull në historinë e drejtësisë bashkëkohore duke akuzuar trupin gjykues se po bënte punë e  prokurorit. (LajmeShqip.com)