Lajme Shqip Tuesday, 22 March 2011 10:31

Tiranë – Një operacion i Policisë së Tiranës në orët e vona të mbrëmjes së të hënës, arrestoi katër persona, mes të cilëve dhe zyrtarë të Inspektoriatit Ndërtimor në Bashkinë e kryeqytetit, të cilët akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në këmbim të shumave të parave nga 300 000 deri 350 000 lekë, lejonin në mënyrë antiligjore persona të ndryshëm që të kryenin ndërtime të paligjshme në Tiranë.

Zëdhënësja e Policisë së Tiranës, Alma Katragjini, bëri të ditur të martën se “pas një hetimi disamujor, nën akuzën për “shpërdorim detyre” dhe “korrupsion pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”, në pranga janë vënë Adem Cenmurati, 43 vjeç, inspektor i Lartë pranë Inspektoriatit Ndërtimor Urbanistik të Bashkisë Tiranë, Ylli Bala, 38 vjeç, inspektor i Lartë pranë Inspektoriatit Ndërtimor Urbanistik të Bashkisë Tiranë, Agustin Lekëgega, 36 vjeç, punonjës policie pranë Bashkisë së Tiranës, si dhe shtetasi Simon  Braholli, 48 vjeç, nga Tirana.

Ndërsa tre punonjësit e Bashkisë, Cenmurati, Lekëgegaj dhe Bala, do të përballen me akuzat për “korrupsion pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”, shtetasi Simon Braholli do të përballet me akuzën e “korrupsionit  aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “ndërtimit të paligjshëm”.