Lajme Shqip Wednesday, 12 September 2012 13:58

Prishtinë – I forti i Komunës së Prishtinës, Sami Hamiti është arrestuar paraditen e sotshme nga Policia e EULEX’it.

Mbi të rëndojnë dyshimet për zhvatje dhe korrupsion. Aktualisht Hamiti mban postin e Kryesuesit të Asamblesë Komunale të kryeqytetit dhe pozita të rëndësishme në strukturat udhëheqëse të Lidhjes Demokratike të Isa Mustafës.

Burime të portalit thanë se bashkë me Sami Hamitin është arrestuar edhe biznesmeni Agim Ademi – ndërtues banesash në Prishtinë dhe njëkohësisht Nënkryetar i Federatës kosovare të Futbollit, dhe biznesmeni tjetër Muharrem Rama.

EULEX’i ka njoftuar opinionin për arrestimet e bëra, por nuk ka përmendur emrat e të arrestuarve.

“Gjatë një operacioni, sot policia e EULEX’it arrestoi tre persona, në mesin e tyre një zyrtarë të lartë të komunës së Prishtinës. Të dyshuarit u arrestuan me autorizim të gjyqtarit të procedurës paraprake, dhe dyshohen për zhvatje dhe vepra të tjera që lidhen me korrupsion. Rasti është duke u hetuar nga një ekip i përzier i prokurorëve vendorë dhe të EULEX’it”, ka deklaruar për Express Blerim Krasniqi, Zëdhënës i misionit europian për rend dhe ligj, EULEX.

Sami Hamiti ka fuqi të madhe në Komunën e Prishtinës dhe në LDK. Ai kishte konkurruar në zgjedhjet e fundit për deputet të Parlamentit të Kosovës, por nuk ia ka dalë t’i marrë votat e nevojshme. Është Kryetar i Degës së IV të LDK’së dhe anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të kësaj partie.(LajmeShqip.com)