Lajme Shqip Wednesday, 25 April 2012 15:24

Tiranë – Paketa me propozimet për përmirësimin e kodit zgjedhor e 26 partive politike, përfshi këtu dhe dy partitë e mëdha PD dhe PS, u dorëzua mesditën e së mërkurës në komisonin e posaçëm të reformës zgjedhore nga kryetari i Partisë Republikane, Arian Madhi dhe kryetari i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo.  

Duke folur për mediat kryetari i PDS-së konfirmoi se dokumenti në fjalë kishte marrë miratimin dhe të PD, ndërsa një ditë më parë ai u nënshkrua dhe nga kryetari i PS-së, Edi Rama, duke përmbledhur kështu firmat e kryetarëve të 26 partive parlamentare dhe joparlamentare.

“Fakti që drafti u firmos dhe nga kryetarët e dy partive të mëdha, PD dhe PS, është një garanci që propozimet të shqyrtohen me seriozitet nga komisioni, i cili duhet të reflektojë këtë vullnet politik të materializuar në një dokument që mban firmën e 26 partive”, tha Milo.

“Jemi me shpresë, vijoi ai, se kjo do të çojë në një kod zgjedhor, jo vetëm të drejtë, por dhe që do të garantonte zgjedhje të lira e të ndershme. Ky është një akt bashkëpunimi politik që duhet të shërbejë si model dhe për mjaft ngjarje të tjera dhe vendime të përbashkëta politike, që duhet të ndërmarrin partitë në Shqipëri për interesin kombëtar”.
Lidhur me afatet e shqyrtimit të propozimeve nga ana e komisionit Milo shpreson që të merren sa më shpejt në shqyrtim pasi dhe në ditët në vijim shënojnë dhe përfundimin e punës së reformës. (LajmeShqip.com)