Lajme Shqip Monday, 07 November 2011 17:30

Korçë –  Në seancën e sotme dhe të vetme të gjykimit të çështjes  së vrasësve të taksistit Fredi Tarelli në 21 nëntor të vitit të kaluar, Gjykata e Apelit ne Korçë ka prishur vendimin e Gjykatës së Faktit, vendosur në 2 qershor të këtij viti.  gjatë zhvillimit të këtij procesi gjyqësor në Gjykatën e Faktit. Sipas vendimit të Apelit, çështja do të rigjykohet në Gjykatën e Faktit nga e para.

Gjatë kësaj seance  gjyqësore të gjithë avokatët  mbrojtës kërkuan prishjen e vendimit dhe këtë gjë e argumentuan më mosmarrjen parasysh të kërkesave të tyre të ligjshme gjatë atij gjykimi dhe zhvillimit te procesit nën trysninë e vazhdueshme të familjarëve  të viktimës.  Përveç kësaj, në gjykim, sipas avokatëve, janë shkelur edhe të drejtat e të akuzuarve, shumica e të cilëve janë nën moshën  për të mbajtur përgjegjësi të plotë para ligjit. Në shkelje të këtyre të drejtave janë dhënë, sipas avokatëve, dënime shumë të rënda.

 – Në 2 qershor –

Trupi gjykues i çështjes për gjykimin e vrasjes së taksistit në Korçë, i drejtuar nga kreu i kësaj gjykate, Admir Belishta, vendosi dënimin me “Burg të përjetshëm” të Elkjero Revanit, 16 vjet burg për bashkëpunëtorin e tij Arnest Xhaçka , 8 vjet burg për Domeniko Kumrian, 5 vjet burg për Kastriot Paplekën dhe nga 6 muaj burg për Jurgen Zeqon dhe Amarildo Selmanin. Pra, një dënim me burg të përjetshëm dhe 30 vjet burg për gjithë bashkëpunëtorët e autorëve të vrasjes makabre të taksistit Fredi Talelli. Këto dënime ishin  edhe më të rënda se sa kërkesat e bëra një javë më parë nga pretenca e prokurorit të çështjes, Edmont Shytka, çka u kërkua edhe nga familjarët e taksistit të vrarë.

– Presioni i familjarëve –

Të gjitha seancat e këtij gjykimi  u zhvilluan   nën një presion të familjarëve të viktimës, të cilët në mënyrë të përsëritur ju kanë prerë fjalën avokatëve mbrojtës të të akuzuarve. Familjarët kanë ndjekur proçesin gjyqësor vazhdimisht dhe kanë dëgjuar nga vetë goja e Arnestit se ishte ai që e qëlloi i pari me automatik, ndaj kërkonin që edhe ky të dënohej maksimalisht si Elkjero që e masakroi edhe pse ende të gjallë, me çekan. Në mënyrë të përsëritur familjarët e viktimës kërkonin dënime maksimale me varje dhe vrasje. Edhe pse dënimet ishin të rënda, familjarët e viktimës janë shprehur se do të kalojnë në vetëgjyqësi për të vendosur vetë drejtësi. Këtë herë në sallën e gjyqit mungonte me dëshirën e tij Elkjero Revani që u dënua me burg të përjetshëm. Dy të pandehurit Xhaçka dhe Papleka që ndodheshin në sallë shprehën pendesë dhe kërkuan mëshirë.

Nëna e Elkjero Rovanit teksa dëgjoi dënimin maksimal te djalit të saj ka shprehur pakënaqësi ndaj trupit gjykues, që sipas saj vetëm e plagosi viktimën, ndërsa jetën ia mori Arnest Xhaçka që u dënua me 16 vjet burg. Më pas ajo pati edhe një përleshje fizike me familjarët e viktimës që sipas saj kërkonin padrejtësisht dënim maksimal për të birin.

– Vrasja e taksistit –

Vrasja e taksistit Fredi Talelli nga Bilishti ndodhi në 31 nëntor të vitit të kaluar. Dy nga të pandehurit Elkjero Revani dhe Arnest Xhaçka, rrëmbyen taksistin për ta vjedhur dhe më pas e vranë. Trupin e tij, pasi e kishin qëlluar me një shkrehje automatiku, e masakruan me çekan për të mos u identifikuar, mandej e hodhën në dalje të fshatit Koritë. Mjetin e gjetën në lumin Shkumbin dhe një javë pas zhdukjes u gjet edhe trupi i pajetë i viktimës. Për të fshehur provat e krimit dy vrasësit bashkëpunuan me katër shokë të tyre në Elbasan e Lezhë.