Lajme Shqip Wednesday, 13 April 2011 14:19

Korçë – Në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor të Korçës u zhvillua, ditën e mërkurë, seanca e paralajmëruar për pyetjen e dëshmimtarëve për çështjen penale për dhunuimin e varrezave të fshatit Boboshticë, në rrethin e Korçës. Seanca gjyqësore u drejtua nga gjyqtarja Afërdita Lika, ndërkohë që prokurore e çështjes ishte Irena Çunoti.

Në këtë seancë gjyqësore morën pjesë të pandehurit, Naun Disho, kryetar i organizatës OMONIA të rajonit të Korçës që kishte urdhëruar kryerjen e punimeve në varrezat e vjetra të fshatit Boboshticës dhe dy punëtorët që kryen punimet, Alqi Korroveshi dhe Luan Zaçe.

Në këtë seancë gjyqësore gjykata kishte thirrur për t’u pyetur si dëshmimtarë të akuzës, kryetarin e komunës Drenovë, Flamur Sala dhe dëshmimtarin Jano Trebicka, të cilët për të dytën herë nuk u paraqitën në gjykim. Në seancën e kaluar para trupit gjykues dëshmuan gjashtë dëshmimtarë të thirrur nga akuza të cilët e cilësuan ndërtimin e memorialit grek mbi varrezat e të parëve të tyre “fyerje dhe dhunim të varrezave”.

Me qenë se dëshmia e kryetarit të Komunës, Flamur Sala dhe e dëshmimtarit Jano Trebicka, ishin të domosdoshme për akuzën, gjyqtarja e çështjes vendosi që ata të shoqërohen forcërisht nga policia në seancën e ardhëshme gjyqësore e cila do të zhvillohet në datën 18 prill , ora 9-00.

Në fshatin Boboshticë në fillim të muajit tetor me urdhër dhe financim të organizatës OMONIA të Korçës, u ndërtua një memorial mbi varrezat e vjetra të fshatit, me pretendimin se aty janë varrosur dy ushtarë grekë të vrarë në vitin 1941 në luftën italo-greke. Banorët e fshatit e ngritën zërin e tyre për dhunimin e varrezave, duke bërë të ditur se në këto varreza nuk ka asnjë ushtar grek të varrosur dhe se aty ndodhen vetëm varret e gjyshërve të tyre, të cilat u dëmtuan dhe eshtrat, pasi u lanë zbuluar për disa ditë rresht, u hodhën. Sipas tyre, një ushtar grek i gjetur i vdekur në mal nga banorët e këtij fshati, është varrosur në varrezat e reja, që ndodhen në fund të fshatit.