Lajme Shqip Friday, 06 May 2011 18:20

Korçë – Gjykata e Rrethit Gjyqësor të Korçës shtyu ditën e sotme seancën gjyqësore ndaj të akuzuarëve për vrasjen e taksistit Fredi Tanelli, ngjarje kjo e ndodhur pesë muaj më parë.

Të pandehurit Ernest Xhaçka dhe Elkiero Raveni, të akuzuar për vrasjen e taksistit Fredi Tanelli, dhe të pandehurit Domeniko Kumria dhe Kastriot Papleka, të akuzuar për bashkëpunim në vrasje, nuk merrnin pjesë në gjykim, pasi kishin autorizuar t’i mbronin avokatët mbrojtës. Ndërkohë që të pandehurit, Amarildo Selmani dhe Jurgen Zeqja, të akuzuar për fshehje të provave të krimit, morën pjesë në seancën gjyqësore.

Të pandehurit Ernest Xhaçka, 17 vjeç dhe Elkiero Raveni, 22 vjeç, të dy lindur dhe banues në qytetin e Bilishtit, në datën 21 nëntor 2010 kanë vrarë me armë zjarri në bashkëpunim taksistin Fredi Tanelli, 35 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Pilur të rrethit të Devollit. Ata e kishin kryer vrasjen me qëllim grabitjen e automjetit të tij tip Benz me targa DV 203 A, me të cilin Tanelli punonte në shërbimin taksi.