Lajme Shqip Monday, 04 April 2011 12:10

Korçë – Dy kandidatët për kryetar Bashkie në Korçë, Andrea Mano i grupimit politik “Aleanca për Qytetarin” dhe Niko Peleshi i grupimit politik “Aleanca për të ardhmen”, zhvilluan të hënën takime me banorë të lagjeve periferike të qytetit, ku paraqitën platformat e tyre për vizionin që kanë për të ardhmen e qytetit dhe sidomos të lagjeve periferike.

Kandidati i grupimit të majtë politik, Niko Peleshi, i cili ka qënë katër vjet kryetar bashkie, është vënë përballë shumë kërkesave të banorëve të lagjes 17 për premtimet e pambajtura për sistemim-asfaltimin e rrugëve dhe ndotjen e mjedisit.

Ai ka premtuar se në rast se do të votohet përsëri do t’ i realizojë katërvjeçarin e ardhshëm kërkesat e banorëve.

Ndërsa kandidati i grupimit politik “Aleanca për Qytetarin” Andrea Mano, në takimet e zhvilluara, ka akuzuar kundërshtarin e tij politik se nuk i ka mbajtur premtimet dhe se e ka konsumuar veten vetëm me gënjeshtra,  pasi sipas tij, “Peleshi ka harruar qytetarët dhe hallet e tij dhe është marrë me lejët e ndërtimit për pallatet ku ka patur interesat e tij”.

“Unë ju premtoj se do të sistemoj dhe asfaltoj rrugët e lagjeve periferike, do të ndërtoj më shumë mjedise të gjelbra dhe kënde lojrash për fëmijët, do të përmirësoj mjediset e brendshme dhe të jashtme të kopshteve dhe shkollave, do të zgjidh kërkesat dhe hallet e qytetarëve”, tha kandidati Andrea Mano.

Beteja për Korçën tashme sa ka nisur.

Kandidati Niko Peleshi ka disavantazh premtimet e pambajtura për rrugët, pazarin e Vjetër të Korçës që ndodhet në kaos të plotë, qendrën e qytetit dhe sidomos segmentin e bulevardit “Republika”, i cili mbetet i shkatërruar dhe i rrethuar me rrjeta teli për shkak të një projekti të dështuar të tij.

Kandidati i djathtë, Andrea Mano, me sloganin “Me qytetarin dhe gjithçka për qytetarin” duket se është në avantazh edhe për mjaft investime të kryera nga qeveria në qytetin e Korçës, siç është ndërtimi i unazës së qytetit, rikonstruksioni i stadiumit “Skënderbeu” etj.